Krimi i dyfishtë për një kafe, Kalaja: Manza, simboli i një shteti të dështuar dhe një shoqërie të armatosur

09:40, 23/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Aulon Kalaja, gazetar, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, foli mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e djeshme në Manzë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy të rinj.

Kalaja u shpreh se kjo ngjarje tregon qartë se Shqipëria po shndërrohet në një vend të armatosur, ku shteti ka dështuar të garantojë sigurinë dhe rendin publik. Sipas tij, përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi qeverinë, e cila, në vend që të marrë masa konkrete për të frenuar krimin, po përdor këto ngjarje për të legjitimuar ndryshime skandaloze në Kodin Penal.

Gazetari theksoi se drejtësia dhe policia janë kthyer në statistika, ndërsa ngjarje si ajo e Manzës tregojnë krizën e thellë të shtetit ligjor në vend. Kalaja kritikoi ashpër kryeministrin për manipulimin politik të rasteve kriminale dhe për përpjekjet për të forcuar kontrollin mbi sistemin e drejtësisë përmes ashpërsimit të ligjeve.

Ai paralajmëroi gjithashtu se qarku i Durrësit, i lidhur prej kohësh me krimin e organizuar, rrezikon të prodhojë sërish skandale politike dhe penale, duke theksuar se Shqipëria po përballet me një degradim të plotë institucional dhe moral.

Pjesë nga deklarata:

Jemi një popull i armatosur. Dy prej të rinjve në Manzë ishin të armatosur. Unë e kuptoj qasjen që është faji i shoqërisë, por nuk bie dakord, sepse nuk e di se cila është dora e shtetit. Kur njerëzit janë të armatosur, pse duhet një kontratë sociale me shtetin, kur njerëzit me sa duket hallet i qajnë vetë, i zgjidhin hallet nëpërmjet likuidimit fizik, drejtësi nuk ka dhe nga ana tjetër njerëzit mbajnë armë. Fakti është se nuk pashë asnjë dorëheqje dje.

Do t’ju marr për analogji rastin e vrasjes së gjyqtarit në sallën e gjyqit. Ju e patë që Rama, që është njeriu politik më i rëndësishëm, tha që ne duhet të ashpërsojmë nenet e kodit penal. Pra, nëse duam ta banalizojmë një ngjarje, do të merremi me çështjen e pistoletës. Ne po themi që kemi njerëz të vrarë, atëherë më duket se kryeministri e fshiu postimin për të ndjerin Astrit Klaja, dhe e njëjta gjë po ndodh për dy të vrarët në Manzë. Nuk është problemi i ashpërsimit të kodit penal.

Ky çfarë do të bëjë? Me anë të ngjarjeve kriminale, aq malinj është, sa do të legjitimojë kodin penal që e ka bërë në mënyrë skandaloze. Po e thonë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, janë kundër; të gjithë juristët që kanë dy pare mend në kokë po dalin kundër. Një vend me censurë të madhe si Shqipëria po e degjenerojnë. Pra, ky njeri këto ngjarje i përdor jo për të zgjidhur problemin, por për të zgjidhur problemet e veta, për të ashpërsuar kodin penal. Nuk e di me çfarë deficencash e ka bërë atë kod penal, se askush nuk e ka marrë autorësinë, sepse është turp i madh. Ne duhet të merremi me merimangën, jo me rrjetën.

Manza u gjakos ditën e djeshme, dhe asgjë nuk do të pengonte asnjë qytet të vendit që të kemi sërish ngjarje të tilla. Ore, ku është policia, për çfarë paguhen? Unë e di që ky e ka shtuar radhën e policëve, ka marrë çuna të rinj, që uroj mos të jenë, siç tregojnë statistikat që kanë dalë, njerëz që përdorin drogë. Nuk e di pse e kanë hequr testin e drogës. Ndërkohë që Shqipëria shpopullohet, ne shtojmë radhët e policëve, por ku janë këta policë, o mor Zot? Çfarë janë këto vrasje që ndodhin në mes të qytetit, përballë policisë? Ai vritet përballë policisë, tjetri vritet në gjykatë, tjetri i bie të vritet larg qoftë në Prokurori. Ne jemi një popull i armatosur në tre persona, dy me armë. Uroj që ngjarja të zbardhet, të zbardhet e vërteta. Policia është kthyer në statistikë.

Këto raste i kemi ulur këmbëkryq, sidomos në qarkun Durrës, i cili është diktuar gjithmonë nga krimi i organizuar. Lista e Durrësit e PS në 2021 ranë të gjithë në burg, dhe të njëjtën gjë paralajmëroj edhe për këta tani. Paralajmëroj arrestimet e listës së deputetëve të Durrësit të PS, sepse nuk do ta gëzojnë mandatin ata deri në fund. Natyrisht, Shqipëria është një vend ku gjithçka ndodh post faktum, dhe kjo ndodh me qëllim. Kjo është edhe për shkak të SPAK-ut. Ju e dini që SPAK kishte një Task Force, ndryshe nga qarqet e tjera, më të përforcuar në qarkun Durrës, por nuk kapi asnjë përgjim për blerje votash apo bashkëpunim me elementët që themi. Por mjaftonte t’i merrte një telefon kandidatit, se dihej kandidati kryesor, dhe dilte aty. Sigurisht që burimi është politika, politika e cila natyrisht ka blerë vota dhe i ka përdorur këta elementë, i ka shtrydhur si limon dhe i ka hedhur më pas. Këta njerëz janë mësuar me lekë; kur nuk kanë lekë, bëhen agresivë dhe vendosin gjoba. Nuk flitet për gjoba në Durrës, ndërkohë që gjëlojnë në Durrës. Biznesmenët jetojnë në terror se po marrin gjoba.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco