VIDEO/ Pano: Shqiptarët kundër martesave të të njëjtës gjini, 91% refuzojnë BE-në nëse vihet si kusht

20:35, 22/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Jonathan Pano nga ‘Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës’ ka bërë publike rezultatet e një sondazhi të gjerë mbi qëndrimet e qytetarëve shqiptarë për çështjet e gjinisë, familjes dhe vlerave tradicionale.

I ftuar në emisionin ‘Ora 19’ me Armela Ferkon në SYRI TV, Pano deklaroi se 91.1% e qytetarëve nuk do të pranonin integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian nëse ky proces kushtëzohet me njohjen e martesave homoseksuale.

‘91.1 për qind e qytetarëve të pyetur, nëse martesat homoseksuale do të jenë kusht për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, atëherë nuk do ta donin integrimin,’ u shpreh Pano.

Gjatë intervistës, Pano ka folur për sondazhin e zhvilluar mes qytetarëve shqiptarë mbi çështjet e gjinisë dhe vlerat familjare. Ai ka theksuar se një pjesë dërrmuese e qytetarëve mbajnë qëndrime konservatore për këto tema.

Sipas tij, sondazhi ka përfshirë gjithsej 28 pyetje të ndryshme, ku janë trajtuar qëndrimet e shqiptarëve ndaj çështjeve të gjinisë, familjes dhe politikave sociale.

‘Në këto pyetje, kanë qenë gjithashtu edhe për mënyrën se si qytetarët e konceptojnë gjininë. A është gjinia binare, mashkull–femër, apo mendoni se ekziston gjinia e shumëfishtë. Dhe 97.6 e njerëzve të pyetur janë shprehur se njohin vetëm gjininë mashkull, femër,’ tha Pano.

Ai theksoi gjithashtu se:

‘99 % e të anketuarve e konsiderojnë familjen tradicionale, burrë, grua dhe fëmijë, si themeli i shoqërisë. Po kaq, 96% e të pyeturve mendojnë se ndryshimi i termave, nënë dhe baba, në prindi 1 dhe prindi 2, do të ketë ndikim negativ të drejtpërdrejtë tek identiteti i fëmijëve.’

Në lidhje me martesat e të njëjtës gjini, Pano deklaroi:

‘92.1% e të pyeturve janë kundër këtyre martesave dhe vetëm 3% janë në favor.’

Sipas tij, rezultatet tregojnë qartë orientimin e fortë tradicional të opinionit publik shqiptar dhe rezervën e tij ndaj çdo kushtëzimi të mundshëm të integrimit europian me çështje që lidhen me politikat gjinore.

‘Një gjë që për mua personalisht ishte surprizuese. Ne e dimë mbështetjen masive që shqiptarët kanë për integrimin e Shqipërisë në BE. A e dini se 91.1 % e qytetarëve shprehen se, nëse martesat homoseksuale do të jenë kusht për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, atëherë nuk do ta donin integrimin,’ tha ndër të tjera, Jonathan Pano.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco