‘Takim i frytshëm’/ Binaj bashkon opozitën: Qytetarët të na bashkohen pa dallim partie, platforma së shpejti publike!

12:13, 21/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Florian Binaj, kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës i mbështetur nga fronti opozitar, ka zhvilluar daljen e tij të parë publike pas zyrtarizimit të kandidaturës, duke mbajtur një takim me përfaqësuesit dhe koordinatorët e të gjitha partive të opozitës.

Në një prononcim për mediat, pas takimit, Binaj e cilësoi si "shumë të frytshëm" dhe si të parin e një serie takimesh që do të shërbejnë për një koordinim më të mirë në vijim.

Në deklaratën e tij, Binaj dhe dhe një mesazh përbashkues, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që t'i bashkohen lëvizjes së tij “pa dallim partie”. Për kandidatin e pavarur, kjo është një çështje që u përket të gjithë qytetarëve, përtej bindjeve politike.

Lidhur me platformën e tij për kryeqytetin, Binaj bëri të ditur se është duke punuar me një “ekip jopartiak” dhe se programi do të prezantohet në kohën e duhur, pasi “gjërat për t'u bërë mirë duan kohën e tyre”.

I pyetur nëse ka komunikuar me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, Binaj u përgjigj negativisht. Ai theksoi se strategjia e tij e fushatës është që të dalë në terren pa praninë e kryetarëve të partive, por shtoi se mbetet “absolutisht i gatshëm të takoj çdo kryetar të partive të opozitës”.

Duke shprehur optimizëm për rezultatin, Binaj e cilësoi bashkimin aktual të opozitës rreth kandidaturës së tij, si një “tregues të jashtëzakonshëm të asaj që pritet të ndodhë”.

Përshëndetje të gjithëve. Faleminderit që keni ardhur. Sot u zhvillua takimi i parë me përfaqësuesit, të dërguarit dhe koordinatorët e partive të opozitës. Edhe ishte një takim shumë i frytshëm dhe besoj është takimi i parë i një serie takimesh që na pret në ditët në vijim, për t'u koordinuar edhe më mirë me njëri-tjetrin.

Mesazhi im është që ne jemi të gjithë së bashku dhe unë si kandidat i pavarur, falë mbështetjes së të gjitha partive të opozitës, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të na bashkohen pa dallim partie, pa dallim, pa dallime të tjera, sepse kjo është një çështje që i vlen shumë të gjithë qytetarëve, ky, ky moment.

Jemi duke punuar me një ekip jopartiak që brenda një kohe të duhur, sepse gjërat për t'u bërë mirë duan kohën e tyre, të dalim dhe të tregojmë këtë program për të gjithë qytetarët.

Nuk kam folur me zotin Berisha, por dhe kam thënë që në daljet në terren, në fushatë, do jem pa përfaqësimin e kryetarëve, por absolutisht jam i gatshëm të takoj çdo kryetar të partive të opozitës.

Ky bashkim që po ndodh tani, me të gjithë përfaqësuesit e partive, është një tregues i jashtëzakonshëm i asaj që pritet të ndodhë.

Më pëlqejnë këto pyetjet që vijnë nga, nga ABC-ja. Unë jam, siç e thashë, jam një kandidat i pavarur, i mbështetur nga të gjitha partitë e opozitës. Dhe në qoftë se ju e shihni si si një lloj varësie faktin që mbështetja vjen jo vetëm nga Partia Demokratike por nga të gjitha partitë e tjera, po, jam i varur edhe nga Partia e Lirisë, jam i varur edhe nga Partia Nisma Thurje, edhe nga Shqipëria Bëhet, dhe nga Partia Agrare Ambientaliste, nga të gjitha. Kështu që... Faleminderit. Kjo ishte përgjigja ime. Faleminderit të gjithëve.

Në takim u bënë bashkë demokratë dhe emra, të cilët u propozuan nga partitë e tjera për postin e kryebashkiakut. Në takim ishte prezent Anisa Ibraj nga Partia e Lirisë, Shkëlqim Sulo nga PDIU. Nuk kanë munguar as përfaqësuesit e Partisë Republikane, Albi Jahelezi dhe Sention Zotaj. 

Barbara Doda, përfaqësuesja e partisë 'Mundësia' ishte pjesë e takimit. Në takim nuk ka munguar as kandidati i propozuar nga 'Mundësia', politologu Ermal Hasimja, i cili ka shprehur hapur mbështetjen ndaj Binajt.

Partia Agrare Ambientaliste u përfaqësua nga Deni Turhani. Mbështetësit e parë të Binajt, nga Shqipëria Bëhet nuk munguan në takim ku mori pjesë Erion Muskaj, ndërsa Nisma Thurje u përfaqësua nga Brunilda Dhrami. 

Ilir Alimehmeti, përfaqësuesi i PD dhe një nga negociatorët kryesorë për gjetjen e kandidatit të përbashkët të opozitës, ishte pjesë e takimit. Të gjithë pjesëmarrësit si përfaqësues të frontit opozitar, garantuan Binajn për mbështetjen në fushatën për kryetarin e ri të Bashkisë Tiranë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco