Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut/ Zhulali: Një shembull demokratik në rajon...

16:53, 20/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Zhvillimi i një procesi zgjedhor të qetë, të pakontestuar dhe demokratik në Maqedoninë e Veriut është një sinjal pozitiv për rajonin e Ballkanit Perëndimor. E ftuar në një intervistë në edicionin e lajmeve të pasdites në SYRI TV, ekspertja e çështjeve ndërkombëtare, Ilda Zhulali, vlerëson se ky proces e vendos Maqedoninë krah Kosovës si dy shembuj të funksionimit të demokracisë zgjedhore në rajon, në kontrast me situatën problematike që vazhdon në Shqipëri dhe Serbi. Në analizën e saj, ajo ndalet jo vetëm te mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve, por edhe te rezultati politik që konfirmon konsolidimin e VMRO-DPMNE-së, si dhe rënien e ndjeshme të LSDM-së, e cila duket se ka paguar koston e qeverisjes dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare që ende ngjallin debat në shoqërinë maqedonase.

Ilda Zhulali: Gjëja e parë që na bën përshtypje ne në Shqipëri, është që u zhvillua një proces normal zgjedhor. Dhe në këtë kuptim, Maqedonia i bashkohet Kosovës si dy vende që zhvillojnë procese demokratike zgjedhore, të pakontestuara pa probleme, ndryshe nga Shqipëria dhe Serbia që janë dy vende problematike në zhvillimin e zgjedhjeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kështu që, për çdo qytetar shqiptar që jeton në Shqipëri është që u zhvillua një proces pa probleme, i pakontestuar dhe që përfaqëson vullnetin e lirë të qytetarëve në Maqedoni të çdo etnie qofshin ata.

E dyta pastaj, vijnë edhe rezultatet paraprake që kemi deri tani dhe kemi një konsolidim të VMRO-DPMNE e cila është në vitin e dytë të qeverisjes. Pra nuk ka patur një luhatje të madhe nga fitorja në zgjedhjet e përgjithshme, ndërkohë që nga ana tjetër ajo parti që qëndron në anën tjetër të ekuilibrit është LSDM, sepse duket që këto zgjedhje u ndanë në një garë mes maqedonasve mesvetes dhe shqiptarëve mesvetes. Ky është të paktën perceptimi i përgjithshëm dhe të paktën kështu po trajtohen rezultatet deri më tani, përfshirë edhe nga vetë partitë politike në Maqedoni. Dhe LSDM ka patur një hymdje shumë të madhe dhe në këtë rezultatin e saj katastrofik duket se ka ndikuar dhe partia e re, e majta që ka hyrë në skenën politike. në një farë mënyrë, LSDM ka marrë edhe koston e qeverisjes së saj, por edhe koston e marrëveshjeve që ka arritur gjatë kohës që ka qëndruar në pushtet, qoftë me Greqinë apo qoftë me Bullgarinë, që ka patur edhe një vëmendje të shtuar dy vitet e fundit në Maqedoni përsa kohë ajo vazhdon të jetë e bllokuar në procesin e anëtarësimit të saj në BE.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco