SYRI TV/ Berisha paraqitet në SPAK: Altin Troplini e të tjerë mbrojnë Irena Gjokën

13:41, 20/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga SPAK, ku u paraqit për masën ‘detyrim paraqitje’, lideri i opozitës Sali Berisha denoncoi mbrojtjen që, sipas tij, po i bëhet gjyqtares Irena Gjoka nga Altin Dumani dhe institucionet e tjera të drejtësisë. Berisha citoi tre ligje, sipas të cilëve Irena Gjoka nuk duhej të ishte gjyqtare, dhe deklaroi se çdo vendim i saj është i pavlefshëm që nga momenti kur ajo ka mashtruar në formularin e dekriminalizimit. Sipas Berishës, Gjoka e ka vendin në burg, por mbahet në detyrë për të gjykuar dosjet e opozitës. Ai nuk kurseu akuzat e forta ndaj Altin Dumanit, për të cilin tha se është “avokat i McGonigal” dhe “skllav i pasurive të tij të paligjshme”.

Lideri i opozitës Sali Berisha u paraqit këtë të hënë në SPAK, në zbatim të masës ‘detyrim paraqitje’ të vendosur ndaj tij.

Në një prononcim për gazetarët pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Berisha denoncoi mbrojtjen që Altin Dumani dhe institucionet e tjera të drejtësisë, sipas tij, po i bëjnë Irena Gjokës, në këmbim të një ryshfeti të majmë ose një urdhri politik antiligjor. Berisha tha se, sipas tre ligjeve të “tre të pestave”, Gjoka nuk mund të jetë gjyqtare, pasi ka fshehur vendime të dënimit ndaj saj.

Kryedemokrati theksoi se, në këto kushte, çdo vendim i Irena Gjokës, që nga dita kur ajo ka gënjyer në formularët e dekriminalizimit, është i pavlefshëm. Ai hodhi akuza se Gjoka mbahet në detyrë vetëm për të gjykuar dosjet e opozitës.

Sipas Berishës, Gjoka ka kryer vepër penale dhe duhet të ishte në burg.

Para gazetarëve, kryedemokrati lexoi edhe mesazhin që, sipas tij, i la në SPAK Altin Dumanit.

I pyetur për ndërprerjen e mandatit të anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Sonila Bejtja, Berisha tha se vendimi ishte në shkelje të Kushtetutës dhe në konflikt të hapur interesi, duke e cilësuar atë si “turpin më të madh të kësaj gjykate”.

Një koment Berisha bëri edhe për deklaratën e Dumanit në Komisionin e Ligjeve, ku ky i fundit tha se për arrestimin e dhunshëm të Ilir Metës nuk është përgjegjës ai, por policia.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco