Berisha deklaroi se veprimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e Sonila Bejtjas janë plotësisht antikushtetuese.
Kreu i PD theksoi se Gjykata ka shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe ligjin e saj, duke krijuar një konflikt të hapur interesi dhe duke anashkaluar procedurat ligjore.
Sipas Berishës, mandati i Bejtjas, i nisur në vitin 2020, është i parashikuar të zgjasë 8 vjet dhe vendimet e Gjykatës për rotacionin dhe ndërhyrjet e tjera janë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.
Lideri i opozitës shtoi se mënyra se si presidenti është përfshirë në këtë çështje nuk është e drejtë, duke nënvizuar mungesën e sistemit dhe transparencës në vendimmarrjet e institucioneve kushtetuese.
Pjesë nga deklarata për media:
Tani, ai ishte një akt antikushtetues.
Absolutisht antikushtetues.
Citova Kushtetutën, citova ligjin e Gjykatës Kushtetuese, të cilin e shkeli në mënyrë flagrante vetë Gjykata Kushtetuese.
Nuk ndodh kurrë që hajde të mblidhemi të gjykojmë se si na takon ne. Po ky është konflikti më flagrant i interesit.
Nuk ndodh kund kjo përveçse në Shqipëri ku ndodh çdo gjë. Ku nuk ka sistem.
Që në këtë moment, që ata bënë gjyqin se cilin të përzëmë, ky ishte turpi i tyre.
Se ata, akti i parë, duhej t’i thonin Bajram Begajt, se ne jemi në konflikt interesi, ne nuk mund ta gjykojmë këtë problem.
E dyta, Sonila Bejtja kishte marrë mandatin në vitin 2020 dhe Kushtetuta dhe ligji i parashikojnë asaj mandatin 8-vjeçar.
Së treti, nuk është kurrë presidenti që i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me shkresë ‘më zgjidh këtë problem’.
Tani, unë e kuptoj, nëse presidenti donte ta zgjidhte, i thoshte parlamentit: parlament, keni bërë një ligj, ligjin e Gjykatës Kushtetuese, ku keni shkruar se forma e rotacionit aplikohet gjer në vitin 2022. Prandaj hiqeni këtë afat, në mënyrë që të vazhdojë forma e rotacionit gjer në vitin 2032.
Pra, gjithçka është në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.
© SYRI.net