'Qeveria braktis trashëgiminë kulturore', Kushova: Strategjitë hidhen në kosh, shteti i paaftë dhe i painteresuar

10:13, 20/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, Eva Kushova eksperte e turizmit të qëndrueshëm foli mbi mungesën e vëmendjes ndaj trashëgimisë kulturore në Shqipëri, ku u shpreh se pa trashëgimi nuk mund të ketë turizëm të qëndrueshëm.

Ajo ngriti shqetësimin për mungesën totale të politikave serioze në këtë fushë, duke marrë si shembull rrënimin e Muzeut Kombëtar dhe boshatisjen e Tiranës nga asetet kulturore. Sipas Kushovës, Tirana nuk ka më çfarë t’u ofrojë turistëve përveç Bunkart-it, dhe brezat e rinj po rriten pa asnjë lidhje me historinë dhe identitetin kombëtar.

Kushova e cilësoi të qëllimshme shpërfilljen e trashëgimisë, duke theksuar se fondet ekzistojnë, por nuk ka dëshirë dhe vizion nga qeveria. Ajo shtoi se çdo përpjekje e shoqërisë civile injorohet, strategjitë e hartuara hidhen në kosh, dhe vendimmarrja dominohet nga paaftësia dhe arroganca.

Sipas saj, shqiptarët e diasporës janë të gatshëm të ndihmojnë, por institucionet nuk krijojnë asnjë mekanizëm për të përfshirë kontributin e tyre.

Pesë nga deklarata:

Nuk jam më kot e shqetësuar. Ne nuk mund të bëjmë turizëm të qëndrueshëm pa turizëm kulturor. Ka një padëshirë për t’u marrë me trashëgiminë kulturore; mjafton të shohim Tiranën, Muzeun Kombëtar. Tirana është gati pa asnjë aset kulturor, sepse nuk mund t’i drejtojmë turistët te Bunk’Art.

Ajo që më shqetëson më shumë në të gjithë këtë rrënim që po i bëhet trashëgimisë kulturore është edukimi i brezave të rinj, pasi te ai muze shkonin minimalisht tre herë nxënësit e një brezi që nga fillorja, shkolla e mesme dhe universiteti ndërkohë që kjo tashmë mungon dhe mund të themi që kemi një amnezi të të gjithë brezit të ri për atë se kush jemi, të paktën për periudhën e antikitetit.

Që nga veriu e deri në jug, ka një tendencë për ta shkatërruar trashëgiminë. Çdo tentativë dhe çdo zë nuk përfillet fare, ndërkohë që po t’i shohim, janë pothuajse të rrënuara. Nuk kemi audioguida; historia e një siti kulturor nuk mund të tregohet nga roja i fshatit, por duhet të jetë e shkruar në tabela apo në audio, ku turistët ta dëgjojnë vetë historinë.

Po të shikosh, lekë të mëdha qarkullojnë në Shqipëri godina, grataçela dhe të mos hidhet një lek për një muze. Po të vësh re, me para ngrihen më parë kullat sesa teatri. Kultura nuk është prioritet, madje është e kundërta.

Bëhet strategji, ne si shoqëri civile kontribuojmë në strategji ajo hidhet në kosh dhe hapen strategji të reja. Unë shoh mungesë dëshire, jo se nuk ka të ardhura dhe fonde. Mjafton edhe e gjithë kjo dashuri dhe atdhedashuri në diasporë mjafton të thuash që do restauruar dhe duhen fonde, edhe jam e bindur që këta shqiptarë do të kontribuojnë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco