Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka denoncuar një rast të rëndë ministren të keqpërdorimit të administratës publike në funksion të fushatës zgjedhore për Bashkinë e Tiranës.
Në një postim në “Facebook”, Këlliçi denoncon përfshirjen e dy drejtoreshave të rëndësishme të Ministrisë së Arsimit, Mirela Cami dhe Matilda Shabani, të cilat janë angazhuar në fushatën e ish-shefes së tyre, Manastirliut, duke vepruar si “patronazhiste të rëndomta”.
“Ndërkohë që do duhej të ushtronin detyrat e tyre për rritjen e cilësisë së arsimit, drejtoreshat janë përfshirë në fushatën e PS-së, në shkelje të plotë të Ligjit për Nëpunësin Civil,” - thekson Këlliçi. Ai e cilëson këtë si shembull të qartë të “politikës së mbrapshtë të partisë mbi shtetin”, që ka çuar në rënie të ndjeshme të sistemit arsimor, rrezik për mbylljen e fakulteteve dhe braktisje masive të auditorëve.
Demokrati kërkon masa urgjente për pezullimin nga detyra dhe ndjekjen penale të çdo zyrtari që shkel ligjin për interesa partiake, duke shtuar se militantizmi, fanatizmi dhe servilizmi nuk mund të jenë themelet e një administrate funksionale.
Sipas Këlliçit, qeveria dhe Manastirliu po e përdor administratën si “makineri zgjedhore”, në vend që ta vërë në shërbim të shtetit dhe qytetarëve. Ai e mbyll denoncimin me thirrjen që “historia e keqpërdorimit të administratës publike dhe shndërrimi i saj në formacion partiak duhet të marrë fund njëherë e mirë”.
Postimi i Këlliçit:
Fushata për Tiranën: Shkelja e ligjit me të dyja këmbët dhe militantizmi i administratës!
Në fushatën qeveritare për Bashkinë Tiranë vihen re dy Drejtoresha të Përgjithshme tek Ministria e Arsimit, Mirela Cami dhe Matilda Shabani!
Ndërkohë që do duhej të ushtronin detyrat e tyre në shërbim të rritjes së cilësisë së arsimit në vend, drejtoreshat përfshihen në fushatën e ish shefes së tyre Ogerta Manastirliut, si patronazhiste të rëndomta!
Plotësisht në shkelje të Ligjit për Nëpunësin Civil, aq më tepër për drejtuese të nivelit të lartë.
Kjo politikë e mbrapshtë e “partisë mbi Shqipërinë” është arsyeja e qartë e rënies drastike në testin PISA, zbrazjen e klasave të mësimit dhe auditoreve, rrezikun e mbylljes së fakulteteve shkencore dhe performancën e vazhdueshme të ulët të sistemit tonë arsimor.
Personalisht denoncoj me forcë vënien në rresht të administratës për fushatën e Tiranës, nga niveli më i lartë e deri tek ai më i ulët.
Militantizmi, fanatizmi partiak, servilizmi dhe patronazhimi nuk mund të jenë kurrë baza të shëndetshme për një administratë funksionale në shërbim të shtetit dhe shoqërisë.
Ne kërkojmë marrjen e masave urgjente për pezullimin nga detyra dhe madje ndjekjen penale të kujtdo që shkel ligjin ditën për diell.
Historia e keqpërdorimit të administratës publike dhe shndërrimin e saj në një formacion partiak duhet të marrë fund!

© SYRI.net