'Hipokrizia e qeverisë shqiptare dhe fonde të munguara për gjyqin e UÇK-së'/ Bushkolaj: Protesta në Tiranë nuk dha mesazhin e duhur!

13:20, 19/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetari Elkier Bushkolaj ishte i ftuar në edicionin informativ të mesditës në Syri TV, ku komentoi protestën që u mbajt në Tiranë, “kundër padrejtësisë” nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai vuri në dukje se megjithëse pati pjesëmarrje, ajo nuk arriti të krijonte efektin e duhur simbolik dhe u shoqërua me tensione.

Bushkolaj theksoi se qytetarët e Tiranës dhe shqiptarët në përgjithësi e bojkotuan protestën, pjesërisht për shkak të mungesës së informacionit dhe ftohjes në marrëdhëniet ndërinstitucionale mes Tiranës dhe Prishtinës, që nuk përfshinte vetëm marrëdhënien Rama-Kurti, por edhe lidhjet mes Ramës dhe Mustafës, apo Ramës dhe Haradinajt.

Ai ngriti edhe pyetje mbi mbështetjen financiare për procesin gjyqësor të UÇK-së, duke vënë në dukje se një pjesë e madhe e kostove po përballohet nga shteti i Kosovës, ndërsa shteti shqiptar nuk ka ofruar fonde të veçanta, pavarësisht se ka harxhuar mijëra euro për iniciativa si ‘Open Balkan’.

"Qeveria ka harxhuar mijëra euro për ‘Open Balkan’ apo nisma të tjera që janë mbajtur në Tiranë apo pjesë të tjera të Ballkanit, ndërkohë që nuk kemi pasur një thirrje apo apel nga qeverisja shqiptare ndaj biznesmenëve, që në bashkëpunim me qeverinë të krijojnë një fond të veçantë për këtë gjyq"- tha Bushkolaj.

Deklarata e tij:

"Për hir të së vërtetës, unë isha në atë protestë. Kishte një pjesëmarrje relativisht të mirë, por duhet të ishte më e madhe, pasi UÇK ishte diçka që duhet të na bashkonte.

Por konteksti me të cilin erdhi kjo protestë ishte në momentin e gabuar, duke sjellë përçarje.

Mua më bëri përshtypje diçka: qytetarët e Tiranës e përgjithësisht të gjithë shqiptarët e bojkotuan atë protestë.

Kjo ndodhi edhe për shkak të mungesës së informacionit dhe ftohjes që ka pasur mes Tiranës zyrtare e Prishtinës zyrtare. Ftohje që nuk ishte vetëm mes Ramës e Kurtit, por duhet të kemi parasysh që ka qenë mes zotit Rama edhe zotit Mustafa po aq e thellë, mes Ramës apo Haradinaj po ashtu.

Ishte hipokrizi e madhe që një ditë pasi ke rrëzuar rezolutën për njohjen e gjenocidit, të shkosh edhe të trumbetosh apo ta përdorësh atë protestë.

Janë edhe pyetje që ne duhet t’i shtrojmë: procesi gjyqësor i UÇK-së ka një kosto shumë të madhe ekonomike, që një pjesë e madhe e ka përballuar shteti i Kosovës me atë mundësi që ka pasur. Po pse, shteti shqiptar nuk i ka mundësi për ta financuar, qoftë përmes një fondi të vogël? Patjetër që i kemi.

Ne kemi harxhuar mijëra euro për ‘Open Ballkan’ apo nisma të tjera që janë mbajtur në Tiranë apo pjesë të tjera të Ballkanit, ndërkohë që nuk kemi pasur një thirrje apo apel nga qeverisja shqiptare ndaj biznesmenëve, që në bashkëpunim me qeverinë, të krijojnë një fond të veçantë për këtë gjyq.

Të gjitha këto rrethana e bënë këtë këtë protestë që të krijonte polemika.

Edhe pse në shesh kishte shumë njerëz, fryma nuk ishte ajo që duhet të ishte, për vetë simbolikën që ka kjo protestë.

Protestat në Prishtinë janë shumë herë më të madha se kjo që u mbajt në Tiranë".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco