Në kërkesën për shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj, Partia Demokratike ka renditur të gjitha shkeljet që nuk ia lejon Kushtetuta. Ndër to, është edhe shkelja numër 6, e cila thotë se Presidenti ka lejuar kabinetin e tij të përfshihej në procesin zgjedhor.
Pjesë nga kërkesa për shkarkim:
Shkelja nr. 6 – Ndërhyrja antikushtetuese nëpërmjet Kabinetit të tij në procesin zgjedhor
Në kundërshtim me nenet 1, 67, 86, 92 dhe 94 të Kushtetutës ka lejuar angazhimin e Kabinetit të tij në procesin e administrimit të zgjedhjeve në fazë të mëhershme, duke injoruar përgjegjësitë kushtetuese të Presidentit të Republikës lidhur me rezultatin e zgjedhjeve dhe duke konsumuar një ndërhyrje flagrante antikushtetuese të Institucionit të Presidentit të Republikës në zgjedhje. Kjo ka përforcuar perceptimin e shkrirjes së shtetit dhe partisë në zgjedhje, si dhe ka rrënuar neutralitetin politik që duhet të gëzojë Institucioni i Presidentit të Republikës.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se:
• Ka cënuar barazinë e palëve në zgjedhje, duke lejuar shkrirjen e shtetit me partinë në pushtet;
• Ka dështuar të ruante rolin e tij neutral dhe mbi palët, si dhe të garantonte funksionimin demokratik të institucioneve.
© SYRI.net