Kërkesa për shkarkimin e Presidentit Begaj, PD: Dekretimi i ministres virtuale 'Diella' cënon organin kushtetues të ministrit

Kërkesa për shkarkimin e Presidentit Begaj, PD: Dekretimi i ministres virtuale 'Diella' cënon organin kushtetues të ministrit

12:45, 15/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Partia Demokratike ka depozituar sot në Kuvend kërkesën për shkarkimin nga detyra të presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, ka renditur shkeljet që sipas tij presidenti ka kryer gjatë mandatit, ku një ndër shkeljet është edhe dekretimi e ministres virtuale të Inteligjencës Artificiale “Diella”, si shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Sipas PD-së, dekretimi është bërë në kundërshtim me nenet 7, 45, 92, 93, 94, 95, 96, 98, 99, 102 dhe 103 të Kushtetutës, pasi Presidenti ka krijuar një strukturë të re ministrore dhe ka përcaktuar përgjegjësi të reja për Kryeministrin, duke shërbyer qëllimeve propagandistike të qeverisë dhe duke rrënuar seriozitetin e institucioneve kushtetuese.

Bardhi ka theksuar se veprimet e Begajt: cënojnë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve,  cenojnë organin kushtetues të ministrit, pasi “ministri virtual” nuk përmbush kriteret ligjore, dhe shkelin në mënyrë flagrante disa nene të Kushtetutës që lidhen me kompetencat e Presidentit dhe Kryeministrit.

Në kërkesë gjithashtu theksohet se shkeljet e presidentit janë të përsëritura, të qëndrueshme dhe kanë pasur ndikim negativ në funksionimin e shtetit, në rendin kushtetues, në balancën mes pushteteve dhe në sferën sociale dhe politike. Sjellja e Begajt, sipas PD-së, bie ndesh me përgjegjshmërinë dhe neutralitetin që kërkohet nga një përfaqësues i lartë i shtetit.

Partia Demokratike argumenton se aktet e Presidentit kanë delegjitimuar rolin e tij si kreu i shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, duke humbur cilësitë themelore të detyrës dhe duke cenuar parimet e shtetit të së drejtës, të pavarësisë së organeve shtetërore dhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese.

Gazment Bardhi u ka bërë thirrje qytetarëve të kuptojnë se kjo iniciativë nuk është një betejë politike ndaj Presidentit, por një përpjekje për të rikthyer institucionin e tij në binarët e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Sipas PD-së, Bajram Begaj ka treguar besnikëri ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe partisë në pushtet, duke humbur neutralitetin e tij dhe rolin si garant i Kushtetutës.

Kërkesa e Partisë Demokratike synon, jo vetëm ruajtjen e rendit kushtetues, por edhe mundësinë që Presidenti të vijojë karrierën politike larg barrës së detyrës më të lartë shtetërore, duke shmangur transformimin e postit të Presidentit në një pozicion vartës ndaj Kryeministrit apo Qeverisë.

PD nënvizon se Presidenti i Republikës duhet të mbetet garanci kushtetuese, që i tregon Parlamentit, Qeverisë dhe partive politice vijën e kuqe të respektimit të Kushtetutës, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco