Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar ashpër ndaj ndërhyrjes së Presidentit të Republikës, Bajram Begaj në emërimet dhe kohëzgjatjen e mandateve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Në konferencë për mediat, Bardhi rreshtoi 7 nene të Kushtetutës të shkelura nga presidenti Begaj, i cili ka kërkuar ndërprejen antikushtetuese të mandateve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Bardhi: Shkelja e dytë e Presidentit të Republikës ka të bëjë me ndërhyrjen brutale antikushtetuese në çështjen e mandateve të gjyqtarëve kushtetues. Në kundërshtim me nenin 4, 7, 124, 125, 127, 129 dhe 179 të Kushtetutës, ka ndërhyrë në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar ndërprerje antikushtetuese të mandateve të anëtarëve të kësaj gjykate dhe duke krijuar pasiguri juridike në ushtrimin e detyrës nga ana e tyre, si formë kyçe dhe më e dhunshme e cenimit të pavarësisë së një gjyqtari kushtetues.
Në 30 janar 2025, presidenti Begaj, pa e pasur në kopetencë të tij, ka kërkuar nga gjykata, deklarimin e mbarimit të mandateve të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Në shkresën e Begaj, ka vendosur në pikëpyetje, kohëzgjatjen e mandateve të të gjithë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në shkelje flagrante të Kushtetutës, madje ka uzurpuar edhe kompetencat e Kuvendit, duke ftuar Gjykatën Kushtetuese, të shprehet mbi kohëzgjatjen e mandateve për anëtarët që janë emërtesë e Kuvendit.
Nuk ka guxuar kurrë më parë asnjë President i Republikës që të cënojë në këtë formë pavarësinë e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Sa i përket mandatit të anëtarit që është emërtesë e presidentit, Kushtetuta por edhe jurispudenca e Gjykatës Kushtetuese është e qartë, gjyqtarja Sonila Bejtja ka marrë një mandat në kohën e emërimit plotësues të mandatit të plotë, të ish-gjyqtarit Besnik Muçi.
Sipas Kushtetutës, vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në rastin e kryetares, zonjës Zaçaj, Gjykata Kushtetuese shprehet qartë që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ka parashikuar një kohëzgjatje të ndryshme, pra jo 9 vjeçare vetëm për 2 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, konkretisht zonjën Zaçaj që i mbaron mandati në 2025, dhe zotit Sandër Beci që i mbaron mandati sipas Kushtetutës në vitin 2028 dhe Gjykata Kushtetuese është krej e qartë në jurispundencën e saj, që në përcaktimin e kohës apo kohëzgjatjes si garanci e moslëvizjes së gjyqtarëve nga detyra dhe garancisë së tyre për të dhënë drejtësi kushtetuese në pavarësi të plotë, duhet të analizohen 3 elementë në mënyrë të njëkohshme, së pari Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Ligji për Gjykatën Kushtetuese dhe aktet e emërimit të gjyqtarëve në detyrë.
© SYRI.net