“Në moshën 17-vjeçare isha ende emigrant jashtë BE-së. Natën qëndroja në radhë për të rinovuar lejen e qëndrimit. Më merrnin shenjat e gishtave në Komisariat, pastaj shkoja në gjimnaz me gishtat ende të nxirë nga boja. Më vinte shumë turp. Më pas, vetëm pak muaj pasi mbusha 18 vjeç, ndodhesha përballë presidentit Sergio Mattarella, i cili më emëroi Alfiere della Repubblica (Simbol i Republikës).”
Bernard Dika, shqiptari 27-vjeçar, ka sytë e përlotur teksa rikthen kujtimet e jetës së tij të re. Një histori e vështirë për t’u rrëfyer, edhe sot kur Bernard – djali i Ibrahim Dikës, i cili në vitin 1994 mbërriti me gomone dhe u hodh në det nga trafikantët në portin e Leçes – ka fituar 14.282 vota preferenciale dhe është këshilltari i dytë më i votuar në zgjedhjet rajonale të Toskanës, për Partinë Demokratike (PD).
Që në moshën 14-vjeçare, në Pistoia, ai ishte koordinatori më i ri në Itali për Pier Luigi Bersani gjatë primareve kundër Matteo Renzit. Në tre vitet e fundit ka qenë zëdhënësi i guvernatorit Eugenio Giani, i sapo rizgjedhur në krye të koalicionit të gjerë të qendrës së majtë (Campo largo), por më pas vendosi të sfidojë vetë politikën dhe të kërkojë mbështetjen e qytetarëve. Deri para pak kohësh, familja e tij ndihmohej nga Caritas: sot, ai mund të bëhet nënsekretari i parë shqiptar në Toskanë.
“Kam lindur në Elbasan, qytet i metalurgjisë, me mijëra punëtorë të shtypur nga marrëveshjet që diktatura shqiptare kishte lidhur me Partinë Komuniste Kineze – rrëfen Dika për Corriere della Sera – babai im u nis një natë nga Vlora... nuk kishte asgjë, por arriti deri në Pistoia, ku filloi punën si punëtor ndërtimi. WhatsApp atëherë ishte shkencë fantastike dhe mësoi vetëm pas tre ditësh që nëna jonë, Flora, kishte lindur motrën time të vogël, Arbina.”
Ibrahimi u kap duke punuar në një kantier ndërtimi dhe u dëbua përsëri në Shqipëri. Në vitin 1996 bëri një tjetër kalim dramatik. Më pas, një maresciallo i karabinierëve e ndihmoi për të aplikuar për leje qëndrimi. Në vitin 1999, e gjithë familja mbërriti në Larciano, në provincën e Pistoias.
“Unë linda në Elbasan në vitin 1998, eh! – kujton Bernard – Pastaj u rrita dhe kuptova se shkolla ishte ashensori më i fuqishëm për të dalë nga varfëria.”
Këtu lind edhe thirrja për t’u përfshirë në politikë:
“Nisa si përfaqësues klase – ndieja detyrimin t’i ktheja komunitetit gjithçka që më kishte dhënë. Si fëmijë, rrija me orë duke dëgjuar të moshuarit e fshatit tim: mësova shumë gjëra prej tyre, prandaj nuk më pëlqeu ‘shkatërrimi i brezit të vjetër’ që promovoi Renzi – përfundon Dika – megjithatë, shkova në Leopolda për referendumin e 2016-ës.”
Dhe sot?
“Nuk jam më fëmijë, por i dyti më i votuar në gjithë Toskanën. Gëzim i jashtëzakonshëm: gjithçka ia dedikoj nënës sime.”/Corriere della Serra
© SYRI.net