Kryetarja e Komisionit të Apelimit në Partinë Demokratike, Adriana Kalaja, ngriti akuza ndaj kreut të SPAK Altin Dumani, duke vënë në qendër të kritikave dosjen e njohur “EcoPark”. Gjatë një interviste në “Kafe Shqeto” në Syri TV, Kalaja tha se Dumani po fsheh dosjet e ndjeshme dhe se drejtësia përdoret për të mbrojtur pushtetin, jo për të luftuar korrupsionin.
Sipas Kalasë, Dumani deklaroi se çështja “EcoPark” është drejt mbylljes, por ajo ka informacion të kundërt. “Kush është drejt mbylljes? EcoParku? Unë kam informacion se kjo çështje do t’i ngarkohet Alqi Bllakos,” tha ajo, duke treguar shqetësimin se dosjet më të rëndësishme po menaxhohen në mënyrë të pasaktë dhe në favor të pushtetit.
Kalaja akuzoi Dumanin për mosveprim dhe për mbrojtje të krimit të organizuar. “SPAK është kthyer në një organizatë partnere të krimit të organizuar që drejtohet nga Edi Rama,” deklaroi ajo, duke shtuar se korrupsioni ka lulëzuar në këto tre vite për shkak të veprimeve të tij.
Sipas kryetares së Komisionit të Apelimit, Dumani jo vetëm që nuk ka trajtuar si duhet dosjet e rëndësishme, por ka dhënë edhe garanci që zyrtarët e qeverisë nuk do të preken nga hetimet.
Sipas saj, dy figura kyçe që mbrojtën Dumanin në Komision janë Ulsi Manja, dhe deputeti Fatmir Xhafaj. 'Ka 2 njerëz që Dumani i kishte përballë që menaxhonin situatën, Manja e Xhafaj, dhe disa herë edhe dilnin në mbrojtje të Altin Dumanit se kishin hall mos u preknin interesat; janë 2 njerëzit më të korruptuar, 2 njerëzit më të lidhur fort me krimin e organizuar, të cilët janë edhe 2 njerëzit që kanë dosjet më të forta në SPAK.' - u shpreh Kalaja.
Ajo gjithashtu nënvizoi se ka dorëzuar 86 kallëzime penale, përfshirë një ndaj vetë Dumanit, dhe se informacioni për korrupsionin ka shkuar te institucionet ligjzbatuese amerikane. “Çështja ‘McGonigal’ përfshin drejtpërdrejt kryeministrin dhe tregon qartë dështimin e SPAK-ut në këtë mandat,” shtoi Kalaja.
Në intervistë, Kalaja u shpreh gjithashtu se fundi i mandatit të Dumanit ishte përcaktuar gjatë udhëtimit të tij në SHBA dhe se ai nuk ka përmbushur objektivat kryesore të tij: luftën ndaj karteleve të drogës, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Kalaja:
Kështu që unë mendoj se e gjithë ajo mbrëmë, përveç se ishte një dështim i madh, përveçse nuk mendoj se ka zhgënjyer njerëz, se njerëzit e shohin çdo ditë se ç’bën Altin Dumani për të sulmuar opozitën, për të sulmuar kreun e saj Sali Berisha, për të sulmuar të gjithë krerët e opozitës dhe ndërkohë është garancia më e madhe që asnjë gjë të mos shkojë tek zyra e kryeministrit.
Ka 2 njerëz që Dumani i kishte përballë që menaxhonin situatën, Manja e Xhafaj, dhe disa herë edhe dilnin në mbrojtje të Altin Dumanit se kishin hall mos u preknin interesat; janë 2 njerëzit më të korruptuar, 2 njerëzit më të lidhur fort me krimin e organizuar, të cilët janë edhe 2 njerëzit që kanë dosjet më të forta në SPAK.
Dumani është vënë në vështirësi reale, dhe aq më shumë që unë, përveçse e sfidoj nga kjo studio, unë i them të rrijë i qetë se gjithë informacioni i ka shkuar institucioneve ligjzbatuese amerikane dhe Ambasadës Amerikane.
Kjo ka shumë rëndësi sepse çështja McGonigal është një çështje që nuk prek vetëm kryeministrin shqiptar, është një çështje që me veprimet dhe mosveprimet e veta, kryeministri shqiptar në bashkëpunim me Charles McGonigal, ka cenuar sigurinë e Amerikës dhe këtë e thonë vetë hetimet në shtetin amerikan.
Nëse Dumani do të kishte performuar mirë, do të kishte fund tjetër; fundin ata ia dhanë që kur shkoi në Amerikë, që nuk e priti ai që duhej ta priste. Ia dha e ngarkuara me punë dhe i dha tre pika kryesore: kartelet e drogës, krimi i organizuar dhe pastrimi i parave.
Dumani tha që kjo është drejt mbylljes. Kush është drejt mbylljes? EcoParku? Unë kam informacionin që edhe EcoParku do t’i ngarkohet Alqi Bllakos.
© SYRI.net