'Fundin ja dhanë amerikanët'/ Kalaja: Dumani u kthye në garanci për korrupsionin e Edi Ramës dhe qeveritarëve

09:41, 15/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryetarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja, lëshoi akuza ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, gjatë një interviste në “Kafe Shqeto” në Syri TV. Kalaja tha se Dumani ka dështuar plotësisht në misionin e tij si drejtues i organit të akuzës dhe është shndërruar në mburojë për korrupsionin qeveritar.

Ajo u shpreh se gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit të Ligjeve, Dumani tregoi se nuk ka asnjë vullnet për të ndjekur dosjet më të rëndësishme në vend. “Nëse do të ishte një seancë me të vërteta, unë do të isha zhgënjyer, sepse ajo që pamë ishte një mbrojtje e turpshme, e pamoralshme dhe propagandë e pastër,” tha Kalaja, duke theksuar se “SPAK është kthyer në një organizatë partnere të krimit të organizuar që drejtohet nga Edi Rama.”

Sipas saj, Dumani jo vetëm që nuk ka arritur të ulë korrupsionin në këto tre vite, por ka lejuar përkeqësimin e situatës. “Nëse i referohemi deklaratës së tij se korrupsioni është rritur, atëherë çfarë ka bërë SPAK? Asgjë. Trevjeçari i mandatit të Dumanit është një bilanc dështimi total,” shtoi ajo.

Kalaja ngriti edhe akuza të drejtpërdrejta për lidhje të Dumanit me pushtetin. “Ai ka dhënë garanci për kryeministrin, zëvendëskryeministren dhe zyrtarët e tjerë që nuk do t’i prekë. Kjo është arsyeja pse korrupsioni lulëzon,” deklaroi ajo, duke e akuzuar se vepron në mbrojtje të qeverisë dhe në sulm ndaj opozitës, veçanërisht ndaj kreut të saj, Sali Berisha.

“Janë dy njerëz që menaxhojnë situatën përballë Dumanit, Manja dhe Xhafaj, të cilët janë ndër më të korruptuarit dhe më të lidhurit me krimin e organizuar. Ata kanë dosjet më të forta në SPAK,” shtoi Klaja.

Ajo tha se ka dorëzuar 86 kallëzime penale, përfshirë dhe ndaj Dumanit, por asnjë nuk është trajtuar siç duhet. “Gjithë informacioni i korrupsionit i ka shkuar institucioneve ligjzbatuese amerikane dhe ambasadës amerikane. Çështja ‘McGonigal’ e përfshin drejtpërdrejt kryeministrin dhe ka cenuar sigurinë e SHBA-së,” tha Klaja, duke shtuar se kjo është provë e dështimit të SPAK-ut nën drejtimin e Dumanit.

Në vijim, Kalaja theksoi se fundi i Dumanit është përcaktuar që në udhëtimin e tij të fundit në SHBA. “Nëse Dumani do të kishte performuar mirë, do të kishte fund tjetër. Fundin ia dhanë që kur shkoi në Amerikë. Ia dha e ngarkuara me punë dhe i përcaktoi tre pika kryesore: kartelet e drogës, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave,” deklaroi ajo.

Sipas Kaljasë, Dumani ka fshehur dosje të ndjeshme si rasti “EcoPark”. “Ai tha që kjo çështje është drejt mbylljes. Kush është drejt mbylljes? EcoParku? Unë kam informacion se edhe EcoParku do t’i ngarkohet Alqi Bllakos,” vijoi Kalaja, duke nënvizuar se veprimet e Dumanit janë dëshmi e qartë se drejtësia po përdoret për të mbrojtur pushtetin dhe jo për të luftuar korrupsionin.

Kalaja:

 Nëse do të ishte një seancë korrekte, nëse do të ishte një seancë me të vërteta, unë aty do të zhgënjehesha, sepse do të ishte jashtë pritshmërive të mia.

Bashkë me kallëzimin për Dumanin, të cilin unë e bëra ditën e hënë, unë kam bërë 86 kallëzime penale dhe secila ka peshën e vet, rëndësinë e vet.

3 kallëzimet më të rëndësishme në fakt janë 3 kallëzimet që edhe mbrëmë e nxorën pak nga vetja Altin Dumanin sepse nuk kishte arsye për të folur.

Nëse në i qëndrojmë vetëm deklaratës së Dumanit që në këto 3 vite është rritur korrupsioni… kjo është e vërtetë që u tha mbrëmë, çdo gjë tjetër ishte mbrojtje, mbrojtje e turpshme, e pamoralshme dhe ishte propagandë, vijonte në atë kuptim: kjo bëhet, kjo nuk thuhet, këtë se them dot, këtë nuk e bëj dot.

Ndërkohë, nëse i referohemi vetëm kësaj thënie, atëherë kompetenca e kujt është hetimi i korrupsionit? Është kompetencë e SPAK? Atëherë çfarë ka bërë? Është trevjeçari i mandatit të Altin Dumanit, pra përveçse nuk ka bërë asnjë punë, është përkeqësuar.

Atëherë kush është garancia e u është dhënë drejtuesve të institucioneve, kryeministrit, zëvendës-kryeministrës, dhe të gjithë zyrtarëve më poshtë që ata e kanë rritur korrupsionin, a është garancia që u ka thënë Altin Dumani: unë nuk do t’ju prek? Dhe kjo është fakt.

Ti ke një organ akuze i kthyer në organizatë partnere të krimit të organizuar, të grupit të strukturuar kriminal që drejtohet nga Edi Rama, me garancinë që ne nuk do t’ju prekim dhe ju vazhdoni.

Kështu që unë mendoj se e gjithë ajo mbrëmë, përveç se ishte një dështim i madh, përveçse nuk mendoj se ka zhgënjyer njerëz, se njerëzit e shohin çdo ditë se ç’bën Altin Dumani për të sulmuar opozitën, për të sulmuar kreun e saj Sali Berisha, për të sulmuar të gjithë krerët e opozitës dhe ndërkohë është garancia më e madhe që asnjë gjë të mos shkojë tek zyra e kryeministrit.

Ka 2 njerëz që Dumani i kishte përballë që menaxhonin situatën, Manja e Xhafaj, dhe disa herë edhe dilnin në mbrojtje të Altrin Dumanit se kishin hall mos u preknin interesat; janë 2 njerëzit më të korruptuar, 2 njerëzit më të lidhur fort me krimin e organizuar, të cilët janë edhe 2 njerëzit që kanë dosjet më të forta në SPAK.

Dumani është vënë në vështirësi reale, dhe aq më shumë që unë, përveçse e sfidoj nga kjo studio, unë i them të rrijë i qetë se gjithë informacioni i ka shkuar institucioneve ligjzbatuese amerikane dhe Ambasadës Amerikane.

Kjo ka shumë rëndësi sepse çështja McGonigal është një çështje që nuk prek vetëm kryeministrin shqiptar, është një çështje që me veprimet dhe mosveprimet e veta, kryeministri shqiptar në bashkëpunim me Charles McGonigal, ka cenuar sigurinë e Amerikës dhe këtë e thonë vetë hetimet në shtetin amerikan.

Nëse Dumani do të kishte performuar mirë, do të kishte fund tjetër; fundin ata ia dhanë që kur shkoi në Amerikë, që nuk e priti ai që duhej ta priste. Ia dha e ngarkuara me punë dhe i dha tre pika kryesore: kartelet e drogës, krimi i organizuar dhe pastrimi i parave.
Dumani tha që kjo është drejt mbylljes. Kush është drejt mbylljes? EcoParku? Unë kam informacionin që edhe EcoParku do t’i ngarkohet Alqi Bllakos.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco