Nga Andi Mustafaj/
Historia e shqiptarëve me ndërkombëtarët nuk është thjesht një kapitull diplomatik; është një faqe e gjatë e psikologjisë sonë kolektive, një histori që lëkundet mes admirimit dhe nënshtrimit.
Ne kemi parë tek i huaji jo vetëm mikun, por edhe shpëtimtarin; jo vetëm partnerin, por edhe gjykatësin. Kështu nisi një marrëdhënie që lindi nga shpresa dhe përfundoi në varësi.
Në fillim, ky idealizëm mund të kuptohej: pas një gjysmë shekulli izolimi brutal, të huajt, kryesisht perëndimorët, u panë si dritarja jonë drejt lirisë, drita e shpresës në fund të tunelit të mjerimit. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” nuk ishte vetëm një slogan studentor i dhjetorit ’90, por edhe një psherëtimë kolektive, një shpërthim i një populli që shihte përtej perdes së hekurt dhe projektonte ëndrrat e tij mbi Perëndimin.
Ata ishin më të zhvilluar, më të begatë, me institucione më të forta e demokraci më të pjekura. Çdo gjë dukej e rregullt dhe e sigurt. Ne i shikonim me admirim, ata deri diku me keqardhje. Dhe nga kjo përplasje shikimesh lindi kompleksi ynë i parë kombëtar: kompleksi i inferioritetit.
Për sa kohë që interesat e tyre përkonin me tanët, gjithçka shkonte mirë. Në vitet 90, përqendrimi i ndërkombëtarëve tek demokracia dhe shteti i së drejtës ishte në harmoni të plotë me aspiratat tona. Në këtë fazë, ne e lexonim ndihmën e tyre si një konfirmim të rrugës sonë: ata ishin me ne, prandaj ne ishim në rrugën e duhur. Fondet për infrastrukturë, ndihma për institucionet, misionet e tyre diplomatike, të gjitha na krijuan bindjen se “të huajt dinë”. Kulmi i këtij admirimi u arrit kur NATO bombardoi Beogradin: mesazhi ishte i qartë, të huajt janë garantët e fatit tonë historik.
Në vend që të mësonim të mendonim, filluam të presim të na thuhej çfarë të mendojmë. Në vend që të krijonim strategjitë tona, prisnim draftet e tyre. Kështu, liria që duhej të na bënte zot të vetes, na ktheu në nënkontraktorë të demokracisë.
Pas çdo krize politike, pritej ndërhyrja e ambasadorëve të cilët u kthyer në profetë. Pas çdo zgjedhjeje, pritej raporti i OSBE-së. Pas çdo konflikti, pritej fjala e Brukselit. Fjalët e tyre nuk ishin më opinione por ishin dekretet morale të një vendi që kishte harruar të mendonte.
Shqiptarët u mësuan me ndërhyrjen e huaj si me motin: pritej, por nuk kontrollohej. Por çdo varësi ka koston e vet. Varësia mendore është më e thellë se varësia politike. Ajo krijon nënshtrim, pastaj mosbesim ndaj vetes, dhe në fund dembelizëm intelektual, një sëmundje që i fshin kombit aftësinë për të menduar me kokën e vet.
Për një kohë të gjatë, kjo nuk u ndie si problem. Për sa kohë që interesat e tyre përkonin me tonat, gjithçka funksionoi. Por bota ndryshoi. Me kthimin e autokratëve, me krizën e vetë demokracive perëndimore, prioriteti i tyre nuk ishte më shteti i së drejtës, qoftë ky në Shqipëri apo kudo tjetër. Problemet e Shqipërisë filluan të jenë gjithmonë e më të largët për vendet perëndimore të cilët vet u prekën rishtas nga kriza ekonomike, nga flukse të mëdha emigracioni, nga sulme terroriste, nga kriza të brendshme të tyre politike, nga pritshmëri të reja dhe të ndryshme nga qytetarët e tyre. Interesat e tyre pra, ndryshuan.
Fjala kyçe këtu është pikërisht kjo: “interesat e tyre”. Jo tonat. Dhe është një naivitet i madh të besosh se ata do të punojnë për ne pa parë interesin e tyre. Të huajt nuk janë as shpëtimtarë, as armiq. Gabimi është yni, kur mendojmë se dikush tjetër do të ndërtojë për ne lirinë tonë. Të presësh që dikush tjetër të japë dinjitet është si të kërkosh që të falet karakteri.
Interesat e tyre, në këto kushte, për sa i përket Ballkanit mund të përkufizohen thjeshtë: për sa kohë nuk dëgjoj të flitet për te, atëherë çdo gjë është mirë për mua. Një shkurtim ky drejt përkufizimit të stabilokracisë. Një gabim ky, i cili përsëritet ndër vite nga perëndimorët pa kuptuar pasojat e shumta negative, të thella dhe afatgjata që në fakt kjo zgjedhje prodhon in fine detyrimisht mbi vendet e tyre.
Kështu vazhduan vite deri më sot, me një keqkuptim të dyfishtë: shqiptarët jetonin dhe jetojnë me shpresën e rreme se ndërkombëtarët do të bëjnë punën tonë, ndërsa ndërkombëtarët ndjekin agjendën e tyre. Shtëpinë tonë duhet ta ndërtojmë ne.
Ky keqkuptim është i përgjithshëm, nuk prek vetëm qytetarët në masën e tyre të madhe por edhe klasën politike, në gjithë spektrin e sa. Kemi parë liderë që në vend të popullit, flasin me ambasadorët; kemi parë qeveri që i përgjigjen më shpejt një “tweet”-i të huaj se një peticioni të qytetarëve të vet.
Rezultati është një hendek i madh midis pritjes dhe realitetit: ne zhgënjehemi sepse presim më shumë nga të huajt sa ata mund të japin, ndërsa ata e shohin inferioritetin tonë si dobësi që mund të shfrytëzohet. Këtë dobësi e sheh edhe Regjimi, i cili ka analizuar degëzimet e këtij nënshtrimi.
Marrëdhënia jonë me ndërkombëtarët ka qenë një takim i humbur me Historinë. Në vend që ta përdornim si katalizator për emancipim, e kemi kthyer në karrocë ku shkojmë të ulur, pa u lodhur, pa menduar, pa rrezikuar. Ky është një dëm kulturor dhe politik që po e paguajmë çdo ditë.
Inferioriteti nuk ishte më thjesht një ndjenjë, u bë një strukturë mendimi, një refleks i ngulitur. Dhe bashkë me të, dembelizmi intelektual: mungesa e vullnetit për të marrë përgjegjësinë, për të analizuar vetë, për të kuptuar se askush nuk do ta bëjë Shqipërinë në vendin tonë.
© SYRI.net