Gazetari investigativ Artan Hoxha ishte i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ku komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zgjedhjeve në Tiranë.
‘Rama mund t’i çojë zgjedhjet nga 9 nëntori në 9 dhjetor, 1 muaj më mbrapa. Ai i çon prap me shpejtësi, se kjo i intereson kryeministrit, se ai është që e kontrollon lojën, të jemi të qartë,’ u shpreh Hoxha.
Megjithatë, gazetari theksoi se ky zhvillim mund të kthehet në një mundësi për opozitën, nëse ajo e shfrytëzon me strategji dhe organizim.
‘Unë them se opozita duhet ta shfrytëzojë këtë si një mundësi në avantazhin e vet, pavarësisht. Ishalla ata kanë probleme, por me atë që shikoj brenda janë të qartë, kanë një strukturë të kristalizuar.’
Hoxha kritikoi faktin që opozita nuk ka reaguar ndaj ‘ushtrisë së patronazhistëve’, që sipas tij, Rama e ka vënë në lëvizje hapur për të ndikuar në zgjedhje.
‘Ai doli dhe thirri haptazi ushtrinë e patronazhistëve në detyrë, gjë që opozita nuk e sulmon asnjëherë dhe kjo më çudit. Ushtrisë së patronazhistëve në këtë vend, ti duhet t’i përgjigjesh në të njëjtën mënyrë. Ti duhet ta marrësh listën e patronazhistëve në çdo pallat e në çdo lagje dhe ta afishosh te dera e pallatit. Këto janë patronazhistët.’
Sipas tij, opozita duhet të reagojë me të njëjtën logjikë organizative që përdor mazhoranca:
‘Ti duhet t’i përgjigjesh patronazhistit me patronazhim. Dhemb për dhemb, centimetër për centimetër, sepse ndryshe ai do të masakrojë.’
Gazetari shtoi se qëllimi i Ramës është i qartë dhe se opozita duhet të jetë e përgatitur të luftojë në çdo terren politik e elektoral.
‘Qëllimi i Ramës është i qartë, ai ka topin, kontrollon lojën, ai ka dhe arbitrin dhe ai në të veten e deklaroi, se nuk e diskuton fitoren, por sa do të jetë diferenca. Prandaj ti si opozitë duhet t’i kthehesh dhe t’i përgjigjesh, të shfrytëzosh çdo mundësi, votë të mundshme, çdo minutë që të jepet në dispozicion, qoftë dhe me shtyrjen e zgjedhjeve.’
Në përfundim, Hoxha theksoi se çdo zgjatje kohe i shkon në dëm qeverisë, pasi me kalimin e ditëve mund të dalin në dritë skandale të reja.
‘Kjo qeveri ka një gjë të mirë, sa më shumë kohë i jep, aq më shumë skandale bën. Dhe unë po të garantoj se deri sa të dalë data e re e zgjedhjeve ti do të kesh disa skandale të mëdha, që pas 1 muaji do të harrosh historinë e gjyqtarit, siç kemi harruar dhe të tjera’, tha ndër të tjera gazetari Artan Hoxha në SYRI TV.
© SYRI.net