Në një shkrim të publikuar së fundmi, gazetari Arsen Rusta ka nxjerrë në pah mashtrimin e paskrupull të ministrit të Drejtësisë në Kuvend, Besfort Lamallari, të cilin me tallje e thërret, Lamo.
Reagimi i Rustës i referohet gënjeshtrës djallëzore të Lamallarit se gjoja faji i vrasjes së gjyqtarit Kalaja është i ligjit 7501.
Rusta e nis reagimin me tone të ashpra ndaj Lamos, duke thënë se “ministri i Drejtësisë ka zgjedhur të thotë më shumë se një gënjeshtër”. Gazetari shprehet se një përfaqësues i drejtësisë nuk mund të flasë pa njohuri mbi një nga çështjet më të debatueshme të tranzicionit shqiptar — pronat.
Më tej, Rusta sqaron se “gjyqtari Astrit Kalaja nuk u vra për ndarjen e një prone sipas ligjit 7501, por për vleftësimin e një urdhri ekzekutimi...”, duke e cilësuar kështu si të pavërtetë narrativën publike që i është dhënë ngjarjes nga mazhoranca dhe ministri i saj i Drejtësisë.
Në argumentimin kryesor, Rusta ndalet në kronologjinë historike të ligjit 7501, duke sjellë fakte të verifikueshme:
“Ligji 7501 u miratua në korrik të vitit 1991. Në atë kohë, Sali Berisha dhe PD ishin në minorancë, me vetëm 75 deputetë... ndërsa Partia e Punës kishte 169 deputetë...”
Përmes këtij “fact-checking” gazetari rrëzon pretendimin se ligji u miratua nga PD, duke e mbështetur argumentin mbi aritmetikën parlamentare të kohës: edhe sikur të gjithë deputetët demokratë të kishin votuar pro, ligji sërish nuk mund të kalonte pa votat e Partisë së Punës. Pra, sipas Rustës, ministri gabon rëndë kur ia atribuon PD-së përgjegjësinë për një ligj që në fakt mban vulën e ish-komunistëve.
Reagimi i Arsen Rustës:
Sot, ndër të parat herë që flet në Kuvend, ministri i Drejtësisë ka zgjedhur të thotë më shumë se një gënjeshtër.
Në fakt, gjyqtari Astrit Kalaja nuk u vra për ndarjen e një prone sipas ligjit 7501, por për vleftësimin e një urdhri ekzekutimi në zbatim të vendimeve të mëparshme gjyqësore z.Ministër.
Së dyti, o Lamo, Partia Demokratike ka plot mëkate — aq shumë sa as mosha jote nuk do mjaftonte t’i numëroje — por të akuzosh PD-në për miratimin e ligjit 7501 është ose padituri, ose mashtrim i qëllimshëm. Ndërsa, PO, ligji është më i ligu miratuar ndonjëherë.
Ti je deputet. Dhe, për më tepër, nuk je nga Tirana, por nga një zonë ku çështjet e pronës janë ende plagë e hapur. Prandaj, më mirë informohu. Nëse s’ke kohë të lexosh, pyet dikë — pse jo, edhe motrën e Diellës ( ChatGPT).
Ligji 7501 u miratua në korrik të vitit 1991.
Në atë kohë, Sali Berisha dhe PD ishin në minorancë, me vetëm 75 deputetë.
Partia e Punës, nëna e Partisë Socialiste të sotme, kishte 169 deputetë. Në parlamentin e parë Post Komunist.
Ligji u miratua me 106 vota pro. Edhe sikur të gjitha votat e PD-së të ishin “pro”, duhej të ishin edhe 31 vota nga Partia e Punës ose përkrahësit e saj.
Pra, nëse Berisha “e paska miratuar” ligjin, atëherë është bashkëfajtor me Partinë tënde, ose me pasardhësit e saj që, nga sa duket, ti as nuk i njeh se kush janë e çkanë votuar.
Kështu pra, Lamallar: mos gënje. Ose, të paktën, mos thuaj gafa në publik.
Kontroll mbi deklaratën zyrtare të Ministrit Lamallari ku thotë me Ligjin 7501 futën shqipërinë në vëllavrasje.
© SYRI.net