Nuri: Zgjedhjet në Tiranë nuk mund të zhvillohen, Presidenti ‘shkeli’ Kushtetutën me të dyja këmbët...

19:41, 09/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Franc Nuri, këshilltar ligjor i Partisë Demokratike, në një intervistë për SYRI TV, tha se zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës më 9 nëntor nuk mund të zhvillohen. Ai theksoi se Kushtetuta përcakton qartë se në rast shkarkimi të një kryebashkiaku, vendimi pezullohet automatikisht nëse ai ankohet në Gjykatën Kushtetuese, siç ka ndodhur me rastin e Erion Veliajt.

Nuri akuzoi Presidentin Begaj se e ka anashkaluar këtë fakt dhe ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën, duke dekretuar zgjedhje në kushte kur shkarkimi nuk ishte bërë ende përfundimtar.

Franc Nuri: Pasojat që sjell, është që zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës në vlerësimin tim, nën gjykimin tim, në këto kushte me këtë vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese sot për pezullimin e dekretit të Presidentit të paktën pjesërisht për Bashkinë e Tiranës e pamundëson që zgjedhjet e pjesshme të mbahen në datën e caktuar nga Presidenti, më 9 nëntor. Është diçka që normalisht duhet të kishte ndodhur me kohë, me kuptimin që...faktikisht nuk duhet të kishte fare dekret të Presidentit të Republikës për Bashkinë e Tiranës.

E kemi thënë, por kanë qenë thjesht opinionet tona në atë moment, por sot nuk janë thjesht opinione të palëve të interesuara në një proces të tillë por është një vendim i Gjykatës Kushtetuese që e ka cilësuar të arsyeshme ta pezullojë.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ka të përcaktuar mjaft qartë: Në momentin që shkarkohet një kryebashkiak, automatikisht i jepet e drejta personit që brenda 15 ditëve të ankohet ndaj shkarkimit të tij. Po mos të jepej kjo garanci, imagjinoni sikur Rama të shkarkojë me VKM të gjithë kryetarët e bashkisë të opozitës, me bazë apo pa bazë juridike, apo faktike.

Kushtetuta e ka parashikuar mekanizmin e garancisë që Ti, t’i drejtohesh Gjykatës Kushtetuese. Automatikisht thotë Kushtetuta. Në momentin që kryetari i bashkisë i cenuar në aspektin e tij personal në momentin e shkarkimit ankohet në Gjykatën Kushtetuese, automatikisht pezullohet vendimi i shkarkimit i marrë nga Kryeministri. Bajram Begaj si President i Republikës, ishte i detyruar të merrte për bazë gjithë çfarë kishte ndodhur dhe nuk mund ta injoronte pezullimin e shkarkimit të kryebashkiakut të Tiranës, por e tejkaloi këtë element sikur të mos ekzistonte. Shkeli me të dyja këmbët Kushtetutën Presidenti i Republikës, i këshilluar keq ndoshta nga këshilltarët e tij apo vet, do t’i mbetet atij ta sqarojë këtë pjesë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco