Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka ngritur alarmin për ndërprerjen e fondeve të programit IPARD nga Bashkimi Evropian për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një goditje fatale për sektorin bujqësor.
I ftuar në emisionin e pasdites me moderatorin Edvin Parruca, Panariti tha se bujqësia shqiptare ndodhet në krizë të thellë, pasi është sektori më i pafinancuar në rajon dhe në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se ky sektor përballet me ngarkesën më të madhe tatimore dhe fiskale në Europë, me një TVSH prej 20%, ndërkohë që mesatarja evropiane është vetëm 5%.
Sipas tij, pezullimi i programit IPARD i ka hequr bujqësisë shqiptare një mundësi historike për të përfituar fonde të konsiderueshme, të cilat nuk mund të siguroheshin as nga buxheti i shtetit dhe as nga burime të tjera financiare. “Nuk ishin pak, por mbi qindra milionë euro që viheshin në dispozicion të fermerëve shqiptarë nëpërmjet një marrëveshjeje të nënshkruar me BE-në në vitin 2016,” u shpreh Panariti.
Ai akuzoi Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) se është shndërruar në një instrument abuzimi, duke ndërtuar një skemë klienteliste ku fondet e destinuara për fermerët e vegjël dhe të mesëm përfunduan në duart e një grupi të ngushtë përfituesish. “Nga mijëra që duhej të përfitonin, vetëm rreth 400 përfituan, të gjithë pjesë e një klientele të përzgjedhur,” deklaroi ish-ministri.
Panariti shtoi se heshtja e qeverisë për këtë çështje është e qëllimshme, me shpresën se skandali do të harrohet me kalimin e kohës. Megjithatë, ai theksoi se Bashkimi Evropian po ushtron presion të vazhdueshëm për hetim dhe transparencë të plotë mbi përdorimin dhe shpërdorimin e fondeve.
“Sot Shqipëria nuk e ka luksin të mos hetojë për këtë problem kombëtar, që prek sektorin më të rëndësishëm të ekonomisë, i cili kontribuon me 19% në prodhimin e brendshëm bruto dhe punëson rreth 40% të fuqisë punëtore,” vijoi Panariti.
Panariti:
Ju e përmendët që në fillim të bisedës, që bujqësia tek ne është në krizë, është në pikë të vdekjes, sepse është sektori më i pafinancuar në rajon dhe në Bashkimin Evropian.
Është sektori që ka ngarkesën tatimore dhe fiskale më të madhe në Europë, dhe aplikon një tatim mbi vlerën e shtuar 20%, ku mesatarja evropiane është 5%.
Padyshim goditjen fatale bujqësia e mori nga pezullimi i programit IPARD, që është një mundësi historike për bujqësinë shqiptare, për të përfituar fonde të cilat ajo nuk kishte mundësi t’i siguronte as nga buxheti i shtetit, as nga financime të tjera alternative, dhe nuk ishin pak, por ishin mbi dhjetëra qindra milionë euro që viheshin në dispozicion të fermerëve dhe bujkut shqiptar sipas një marrëveshjeje të nënshkruar në vitin 2016 midis qeverisë shqiptare dhe BE-së, ku Shqipëria për herë të parë përfitonte fonde të quajtura të para-aderimit në BE nëpërmjet programit IPARD.”
“Por çfarë ndodhi? Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, ajo që ne e njohim me akronimin AZHBR, e cila ishte trajnuar, e akredituar për të përdorur me përgjegjshmëri fondet grant të akorduara nga Bashkimi Evropian, u shndërrua në një instrument të mirëfilltë abuzimi.
U ndërtua një skemë e mirëfilltë klienteliste, ku këto miliona euro para grant, që ishin të destinuara kryesisht për fermerin e vogël dhe të mesëm, përfunduan në një rrjet të ngushtë klientele nëpërmjet disa manipulimeve të kritereve të aplikimit, ku praktikisht kjo masë e madhe fermerësh që duhet të ishte me mijëra përfitues, u reduktua në një grup të ngushtë prej 400 përfituesish që ishin përgjithësisht një klientelë e përzgjedhur.”
“Heshtja nuk është fenomen i paparë dhe i padëgjuar nga ana e qeverisë dhe gjithmonë nëpërmjet këtij instrumenti është përpjekur që shumë gjëra të kalojnë në fazë johetimore, duke shpresuar që me kalimin e kohës këto do të ftohen dhe do të harrohen.
Por në këtë rast kemi një faktor i cili nuk mund të kalojë me mosreagim dhe heshtje, ky është BE-ja, e cila po bën presion në mënyrë të vazhdueshme që të ketë një hetim dhe një transparencë të plotë të mënyrës sesi këto para janë përdorur apo shpërdoruar.
Unë nuk mendoj që tashmë Shqipëria dhe drejtësia shqiptare e ka luksin të mos hetojë për një problem i cili është një problem kombëtar, është një problem që prek sektorin më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, i cili kontribuon jo pak por me 19% të prodhimit të përgjithshëm bruto dhe punëson rreth 40% të fuqisë punëtore.
© SYRI.net