Gazetari Armand Shkullaku, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, komentoi ngjarjen e rëndë ku sot u vra në zyrën e tij në Gjykatën e Apelit, gjyqtari Astrit Kalaja.
‘Unë këtu tërheq vëmendjen për disa deklarime të fundit të Edi Ramës, ku jo vetëm është marrë nominalisht me gjyqtarë, jo vetëm i ka bullizuar, por ka kërkuar forma të tjera ligjore ku ekzekutivi ti mbivendoset pushtetit gjyqësor. Nuk ka ndodhur asnjëherë që në një proces ku palë mund të jetë shteti, apo individë për çështje prone, të përzihet dhe kryeministri i vendit,’ tha Shkullaku.
Ai theksoi se ka raste të shumta kur janë marrë masa ekstreme ndaj pronave.
‘Kemi raste kur është kërkuar të sekuestrohen, të shemben prona, të konfiskohen prona. Gjyqtarët kanë vepruar sipas bindjes dhe vendimit të tyre, që ua njeh ligji dhe kryeministri ka dalë dhe ka thënë që kjo është kriminale, po rrëmbejnë të drejtën e qytetarëve, po legalizojnë prona në mënyrë të padrejtë. Nuk është ky roli i ekzekutivit.’
Shkullaku nënvizoi se ndërhyrjet e ekzekutivit kanë krijuar një situatë të jashtëzakonshme për gjyqtarët.
‘Ndoshta jemi i vetmi vend, kur shkatërrohet një pronë me vlerë të jashtëzakonshme dhe mbasi shkatërrohet, çështja shkon në gjykatë. Vetëkuptohet se gjyqtarit do të thotë se, skam çfarë gjykoj, se fakti është shembur. Deri këtu ka shkuar ndërhyrja e ekzekutivit në çështje që i takonin gjykatave.’
Gazetari Armand Shkullaku u shpreh edhe për reformën e drejtësisë në Shqipëri, duke e kritikuar për qasjen e saj.
‘Ne kemi bërë një reformë në drejtësi e cila ka synuar më shumë aspektin spektakolarë, për të treguar se këtu do dënohen të paprekshmit, një reformë e financuar nga ndërkombëtarët për ti dhënë politikës në Shqipëri, një armë tjetër për të goditur kundërshtarin sipas konjukturave.’
© SYRI.net