Deputetja e Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës, Elda Hoti ka denoncuar procedurat korruptive që janë zhvilluar në lidhje me tenderin për rregullimin e tregut të Milotit, me një fond prej 3.3 mln eurosh.
Sipas Hotit, është përzgjedhur kompania që ka dhënë ofertën më të lartë, ndërsa janë skualifikuar kompani që kanë ofruar më pak.
Ajo bëri të ditur edhe faktin se, punimet në këtë treg kanë nisur pa një leje ndërtimi.
Deklarata e deputetes së PD, Elda Hoti:
Tregu i Milotit, një investim i domosdoshëm që qytetarët e veriut e kanë pritur prej vitesh këtë investim. Por kjo nuk do të thotë që ky investim kaq shumë i pritur të kthehet në një aferë të madhe korruptive.
Ky tender është një tjetër shembull i dyshimeve për tenderat e paracaktuar dhe shkeljeve të prokurimit publik. Tregu i Milotit, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit prej rreth 3.3 milionë euro, paraqet një sërë elementesh që ngrenë dyshime serioze mbi respektimin e ligjit për prokurimin publik dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.
Që në fazën e hartimit të dokumenteve të tenderit, evidentohen kritere kualifikuese të cilat duken qartësisht të orientuara drejt kufizimit të konkurrencës.
Nuk është rastësi që në këtë procedurë mori pjesë vetëm një operator shqiptar, ndërsa asnjë kompani e huaj nuk paraqiti ofertë. Ky fakt përforcon dyshimet se kriteret nuk janë hartuar për të nxitur konkurrencën, por për ta kufizuar atë.
Procedura është vlerësuar me flamur të kuq, një tregues i njohur i rrezikut të lartë për shkelje të procedurave të prokurimit publik, dhe fakte që pasuan e bëjnë këtë alarm edhe më shqetësues.
Në mënyrë të dyshimtë, pothuajse të gjithë operatorët ekonomikë pjesëmarrës u skualifikuan duke lënë në garë vetëm një ofertë dhe më pas u shpall automatikisht fituese.
Kjo është një praktikë që cenon thelbin e konkurrencës dhe ngre pikëpyetje serioze mbi objektivitetin e vlerësimit. Akoma më shqetësues është fakti se oferta fituese nuk ishte ajo me vlerën më të ulët ekonomike.
Skualifikimi i ofertave më të favorshme për buxhetin dhe shpallja fituese e një oferte më të shtrenjtë, krijojnë dyshime për paracaktimin të fituesit dhe fryrje të kostove që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë.
Kjo procedurë paraqet të gjitha karakteristikat e një tenderi me mungesë të konkurrencës reale dhe me ekspozim të lartë ndaj korrupsionit, në kundërshtim me frymën dhe parimet themelore të ligjit për prokurimet publike.
Si të mos mjaftonin këto problematika, deri në datën e kësaj deklarate, rezulton se megjithëse tabela informuese në terren njofton fillimin e punimeve në qershor të 2026-ës, ende nuk ekziston një leje ndërtimi e miratuar dhe e publikuar me vendim specifik në sistemin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.
Si mund të shpallen apo të nisin punime publike pa u pajisur më parë me dokumentacionin ligjor të domosdoshëm?
Kush mban përgjegjësi për këtë shkelje të mundshme të procedurave?
Ne kërkojmë transparencë të plotë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, verifikim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse dhe hetim të plotë të kësaj procedure për të garantuar që fondet publike të mos përdoren në funksion të interesave të ngushta, por në shërbim të qytetarëve.
Qytetarët ndëshkohen për shkelje të vogla, ndërsa ndërtime të tëra pa leje ngrihen përpara syve të autoriteteve.
Territori i Shqipërisë nuk mund të trajtohet si pronë private e askujt.
Koha e pandëshkueshmërisë duhet të marrë fund dhe çdo përgjegjës për lejimin apo tolerimin e ndërtimeve pa leje duhet të japë llogari para qytetarëve dhe drejtësisë.
© SYRI.net