Kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se toka ku do të ndërtohet hoteli i Isa Aliut në Jalë ndodhet pranë pronës së kryeministrit Edi Rama, duke ngritur dyshime edhe se është brenda kufijve të saj. Ai akuzoi se toka është blerë nga një shitës pa identitet dhe se ish-kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, kishte bllokuar certifikimin për shkak të problematikave dhe falsifikimeve, çka sipas tij i kushtoi detyrën. Berisha denoncoi gjithashtu çmimin e blerjes së tokës prej 4 eurosh për metër katror.
Syri TV
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat ka deklaruar se toka në të cilën do të ndërtohet hoteli i Isa Aliut në Jalë është në kufi me tokën e kryeministrit Edi Rama, por ka dyshime se mund të jetë brenda kufijve të saj. Dyshimet vijnë edhe për shkak se Aliu e ka blerë tokën te një shitës pa emër.
Berisha deklaroi se Artan Lame bllokoi dhënien e certifikatës së kësaj toke për shkak të problematikave me shitësin, por edhe falsifikimeve të tjera. Kjo lëvizje, sipas kreut të PD-së, i kushtoi Lames shkarkimin.
Kreu i Partisë Demokratike denoncoi edhe vlerën e blerjes së tokës nga Isa Aliu, për një vlerë prej 4 eurosh për metër katror.
Duke folur për amnistinë penale, Berisha u shpreh se PD nuk mund ta votonte, për shkak se amnistia nuk mund të bëhet çdo vit dhe se mazhoranca synon ndërprerjen e disa proceseve gjyqësore.
© SYRI.net