'Protestat po bashkojnë shqiptarët'/ Bajaziti: Emigrimi masiv, dëshmia më e fortë e krizës që po kalon vendi

16:53, 19/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shqiptarët jashtë kufijve të vendit janë ngritur në një valë protestash masive, duke u organizuar paralelisht me tubimet që po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Ky mobilizim i diasporës po konsiderohet si një lëvizje vetëorganizimi, e cila ka tejkaluar kufijtë e fushatave tradicionale politike dhe po shndërrohet në një thirrje të fuqishme qytetare për ndryshim.

Në një intervistë për SYRI TV, Erisa Bajaziti, aktiviste e Shqipërisë në Belgjikë, e cilësoi këtë angazhim si një zhvillim tejet pozitiv, duke theksuar se shqiptarët në mbarë botën po tregojnë solidaritet me protestuesit në Shqipëri.

Sipas saj, protestat përfaqësojnë një moment ku shqiptarët, pavarësisht vendit ku jetojnë, mund të bashkohen rreth kërkesave të përbashkëta për ndryshim. Ajo theksoi se shumë prej shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit kanë krijuar jetën e tyre në emigracion, por ndjejnë se Shqipëria po i thërret për të kontribuar në një moment vendimtar për të ardhmen e saj.

Bajaziti theksoi se protestat nuk duhet të shihen si një çështje e ngushtë partiake, por si një angazhim për Shqipërinë. Sipas saj, elementi që bashkon qytetarët në këto tubime është kërkesa për ndryshim dhe pakënaqësia ndaj situatës aktuale në vend.

Duke folur për fenomenin e emigracionit, Bajaziti vuri në dukje se largimi i mbi një milion shqiptarëve ka privuar vendin nga një pjesë e rëndësishme e potencialit të tij njerëzor. Ajo shtoi se shumë emigrantë vazhdojnë të ëndërrojnë rikthimin në atdhe, por përballen me mungesën e perspektivës, sigurisë ekonomike dhe garancive për të ndërtuar jetën e tyre në Shqipëri.

Bajaziti:

Është diçka shumë pozitive që po ndodh, sepse shqiptarët anë e mbanë botës po tregojnë një solidaritet me të gjithë shqiptarët që janë duke protestuar në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë. Një solidarizim që tregon një bashkim mesazhi dhe një unifikim të shqiptarëve për të keqen më të madhe që është duke i ndodhur vendit. Dhe gjatë qeverisjes së zotit Rama, padyshim opozita ka qenë në mënyrë të vazhdueshme duke protestuar për të gjitha gjërat që ajo i ka cilësuar si diçka që kanë qenë në dëm të shqiptarëve, në dëm të politikës shqiptare në mënyrën se si kryeministri e trajton Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Ndaj më duket një zhvillim mjaft pozitiv dhe më duhet të them që çdo ndryshim apo çdo kërkesë, qoftë edhe kjo e fundit për dorëheqjen e zotit Rama, e shoh si një moment ku shqiptarët mund të bashkohen bashkë dhe një shenjë solidarizimi dhe me shqiptarët që janë në Shqipëri. Kuptohet, shqiptarët që janë jashtë kanë krijuar jetën e tyre jashtë Shqipërisë dhe kanë pasur një arsye pse janë larguar nga Shqipëria.

Por tani e kuptojnë që vendi i tyre i thërret në një mesazh më të fortë, i thërret për të kontribuar për vendin sepse është përgjegjësi qytetare të kuptosh atë që është duke ndodhur dhe nëse ndjen që mund të japësh kontributin tënd dhe mund të forcosh zërin tënd me zërat e qytetarëve në Tiranë, padyshim është diçka shumë pozitive. Unë e shoh si një simbiozë që duhet të ndodhë midis qytetarëve në Tiranë dhe atyre që janë jashtë Shqipërisë, sepse nuk mund ta lënë njëri-tjetrin vetëm në këto momente në të cilat Shqipëria ka më shumë nevojë se kurrë për t'i dhënë fund një epoke të kryeministrit Rama që e ka çuar Shqipërinë, besoj, në ditët më të errëta të saj. Ndaj unë e quaj si një përgjegjësi qytetare dhe do t'i bëja thirrje çdo qytetari shqiptar brenda apo jashtë Shqipërisë, në çfarëdo lloj forme të mundshme ku secili e ndjen që mund të japë kontributin e tij, ta bëjë pa u ndjerë i kompleksuar. Ky është një kontribut jo për ndonjë parti politike, por është një kontribut për Shqipërinë dhe ne nuk duhet ta humbasim këtë moment.

Unë e kam thënë dhe e them vazhdimisht që Shqipëria është më e madhe sesa partia, është më e madhe sesa grupime të caktuara me qëllime të caktuara, ndaj unë do të kisha dashur që ne ta kapërcenim këtë element të protestës sepse ashtu siç është protesta që mbledh shumë njerëz, shumë ngjyra, shumë qytetarë me bindje, me pikëpamje të ndryshme, mendoj që pikërisht aty është edhe elementi që i bashkon ata. Dhe për mua elementi që i bashkon shqiptarët në këtë protestë është kërkesa, mbi të gjitha kërkesa për dorëheqjen ndaj kryeministrit Edi Rama, sepse ai është dhe shkaktari kryesor në të cilin gjendet sot Shqipëria në këtë krizë të madhe. Dhe duket sikur i ka çorientuar komplet një komb të tërë, një komb që nuk ndjen rehati.

Përndryshe shqiptarët nuk do të ishin rrugëve duke protestuar dhe në të vërtetë, kur e mendoj një moment ideal se si do të ishin duke jetuar shqiptarët jetën në këtë moment, mendoj që do të ishin duke shkuar nëpër teatro, nëpër festivale, duke jetuar përditshmërinë e tyre, duke shijuar familjet e tyre dhe jo të ishin shesheve. Sepse do të kishin dashur që jetesa e tyre të ishte përmirësuar tanimë dhe shqiptarët të ishin të fokusuar më shumë në shijimin e një jete të mirë ekonomike, të një jete me prosperitet, me një jetë ku e ardhmja është e garantuar, ku puna është e garantuar. Por janë pikërisht këto arsye për të cilat edhe shqiptarët më së shumti janë larguar dhe si të thuash ne jemi duke e kërkuar forcën dhe shpresën tek njëri-tjetri. Mos harroni që është larguar pjesa më vitale e popullsisë.

Mbi 1 milion shqiptarë të larguar nga Shqipëria të cilët kontributin e tyre nuk e japin dot në vendin e tyre, por e japin diku gjetkë. Dhe kjo është për të ardhur keq sepse edhe në rrethin tim familjar apo shoqëror unë njoh mjaft shqiptarë të cilët ëndërrojnë me idenë për t'u rikthyer një ditë në vendin e tyre, sepse e dimë që jetesa jashtë Shqipërisë, jo domosdoshmërisht për të gjithë shqiptarët është e lehtë. Por edhe më e vështirë është bërë jetesa në Shqipëri ku njerëzit dhe qytetarët nuk shohin një perspektivë për të ndërtuar të ardhmen e tyre atje, për të ndërtuar një familje në Shqipëri, pikërisht në mungesë të sigurisë ekonomike, në mungesë të sigurisë së jetës, në mungesë të sigurisë për pronën. Pra, shteti nuk është më një garantues për të krijuar kushtet që çdo shqiptar të ndihet zot në vendin e tij dhe të mund të ndërtojë të ardhmen e vet në Shqipëri.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco