Mesditën e kësaj të premteje, një tjetër ngjarje tragjike u regjistrua në bregdetin e Lezhës, ku dy vajza të mitura, 9 dhe 11 vjeç, humbën jetën pasi u mbytën në det në plazhin e Tales.
Në një reagim për ngjarjen, deputeti i Partisë Demokratike Gjin Gjoni shprehu ngushëllimet e sinqerta për familjet e viktimave, por sipas tij kjo tragjedi rikthen sërish në vëmendje mungesën e sigurisë në plazhet e Lezhës.
Ai thekson se në pjesën më të madhe të vijës bregdetare mungojnë kullat e vrojtimit, ndërsa në disa raste ato ekzistuese rezultojnë pa roje bregdetare.
Reagimi i plote
Mesditën e kësaj të premteje, një tjetër ngjarje tragjike ndodhi më bregdetin e Lezhës, ku dy vajza të mitura, 9 dhe 11 vjeç, humbën jetën pasi u mbyten në det në plazhin e Tales.
Në këto momente të vështira, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të tyre, duke ndarë me ta dhimbjen e madhe për këtë humbje të rëndë.
Por fatkeqësisht, kjo ngjarje rikthen edhe një herë në vëmendje mungesën e sigurisë në plazhe. Përtej propagandes, në pjesën më të madhe të vijës bregdetare të Lezhë mungojnë kullat e vrojtimit, ndërsa aty ku ato janë vendosur, janë bosh dhe pa roje bregdetare.
Katër viktima brenda pak javësh janë dëshmia më e dhimbshme e mungesës së sigurisë në plazhet e Lezhës. Kjo nuk është më një rast i izoluar, por një alarm serioz që kërkon reagim të menjëhershëm dhe marrje përgjegjësish.
Ju kërkoj organeve ligjzbatuese dhe institucioneve përgjegjëse të hetojnë këtë ngjarje dhe atë ndodhur në fillim fillim të këtij muaji në zonen e Ranës së Hedhun, të zbardhin përgjegjësitë dhe të vënë përpara drejtësisë çdo person që ka neglizhuar detyrën.
Nuk mund të ketë turizëm pa siguri. Mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe pushuesve duhet të jetë prioritet absolut.
© SYRI.net