Kështjella kafkiane e Europës që ka krijuar Marta Kos për Shqipërinë

Kështjella kafkiane e Europës që ka krijuar Marta Kos për Shqipërinë

Nga Ndriçim Kulla - 19/06/2026

 Ka jo pak raste kur shqetësimi nuk lind më nga kundërshtari i dukshëm, nga armiku që qëndron përballë dhe shpall hapur synimet e tij, por nga ai mekanizëm i padukshëm i pushtetit moral, që duke pretenduar se është arbitër, fillon të sillet si palë; që duke pretenduar se është garant i rregullave, fillon t'i interpretojë ato sipas nevojës së një aktori të vetëm; që duke pretenduar se mbron standardet, nis të justifikojë shkeljen e tyre. Në këto momente lind dyshimi më i rëndë, jo për fatin e një qeverie apo të një opozite, por për fatin e vetë parimeve mbi të cilat ngrihet një rend politik.

Pikërisht ky dyshim po bëhet gjithnjë e më i madh në Shqipëri sa herë që qytetarët dëgjojnë deklaratat e  here pas hershme  të Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos. Jo sepse një komisionere europiane nuk ka të drejtë të ketë opinionet e saj. Jo sepse Shqipëria duhet të jetojë në konflikt me institucionet europiane. Por sepse po krijohet përshtypja e rrezikshme se në vend që të dëgjojë Shqipërinë reale, me konfliktet, problemet, deformimet dhe alarmet e saj demokratike, ajo po dëgjon kryesisht Shqipërinë e paraqitur nga propaganda qeveritare.

Kjo është një diferencë që mund të duket e vogël në letër, por që në praktikë ndan Europën e etërve themelues nga Europa burokratike; ndan Europën e parimeve nga Europa e kompromiseve; ndan Europën e së vërtetës nga Europa e statistikave.

Nëse do të merrnim një nga një shtyllat mbi të cilat u ndërtua projekti europian – shtetin e së drejtës, kontrollin e pushtetit, pluralizmin politik, lirinë e medias, konkurrencën e ndershme elektorale dhe transparencën publike – dhe do t'i vendosnim përballë realitetit shqiptar, do të shfaqej një panoramë shumë më e ndërlikuar se ajo që paraqitet në konferencat festive të qeverisë. Do të shfaqej një vend ku pushteti është përqendruar në mënyrë të pazakontë, ku institucionet shpesh perceptohen si të njëanshme, ku administrata dhe politika përzihen në mënyrë problematike dhe ku raporti mes qytetarit dhe shtetit është bërë gjithnjë e më asimetrik.

Por çudia më e madhe nuk është vetë ekzistenca e këtyre problemeve. Çudia më e madhe është   fshehja,heshtja ose relativizimi i tyre.

Dhe këtu lind pyetja që nuk mund të shmanget: çfarë ndodh me procesin e integrimit kur vetë arbitri fillon të duket si avokat  i njërës palë?

Një proces integrimi nuk është thjesht hapja dhe mbyllja e kapitujve teknikë. Nuk është një procedurë administrative që matet me numrin e formularëve të plotësuar apo me ritmin e mbledhjeve në Bruksel. Integrimi është mbi të gjitha një proces moral dhe politik. Ai kërkon që standardi të jetë më i fortë se interesi i momentit. Kërkon që vlerat të jenë më të rëndësishme se komoditeti diplomatik. Kërkon që e vërteta të mos sakrifikohet për hir të stabilitetit të rremë.

Në të kundërt, integrimi shndërrohet në një teatër burokratik ku fjalët vazhdojnë të flasin për demokracinë, ndërsa realiteti vazhdon të largohet prej saj.

Kjo është arsyeja pse shqetësimi ndaj deklaratave të Marta Kos nuk është thjesht një debat mbi një person. Nuk është as një polemikë kalimtare me një zyrtare europiane. Është një debat mbi besueshmërinë e vetë procesit.

Sepse nëse qytetarët fillojnë të besojnë se raportet e progresit nuk pasqyrojnë realitetin, nëse fillojnë të besojnë se kritikat trajtohen si bezdi politike dhe jo si sinjale demokratike, nëse fillojnë të besojnë se afërsia me pushtetin shpërblehet më shumë se respektimi i standardeve, atëherë dëmtohet pikërisht ajo që Europa duhet të mbrojë: besimi.

Dhe kur humbet besimi, procesi vazhdon formalisht, por zbrazet nga kuptimi.

Në universin e Franz Kafkës personazhi gjendet përballë një sistemi të padepërtueshëm ku vendimet merren diku larg, sipas logjikave që nuk shpjegohen kurrë plotësisht. Ai endet nëpër korridore, dëgjon formula, procedura, premtime dhe deklarata, por e ka gjithnjë e më të vështirë të kuptojë se ku mbaron drejtësia dhe ku fillon mekanizmi i pushtetit. Pikërisht ky është rreziku që duhet shmangur në raportin mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Sepse Europa nuk duhet të duket si një kështjellë kafkiane që flet për vlera, ndërsa toleron shkeljen e tyre. Europa duhet të mbetet autoriteti moral që mat të njëjtën gjë me të njëjtin standard, pavarësisht se kush është në pushtet.

Prandaj pyetja që shtrohet sot nuk është nëse duhet kritikuar Marta Kos. Pyetja më e madhe është nëse qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të kërkojnë prej saj të njëjtën paanshmëri që Europa u kërkon institucioneve shqiptare. Dhe përgjigjja është po.

Sepse askush nuk pret që një komisionere europiane të jetë opozitare ndaj qeverisë shqiptare. Askush nuk kërkon prej saj të bëhet pjesë e konfliktit politik të brendshëm. Por çdo qytetar ka të drejtë të kërkojë që ajo të jetë besnike ndaj standardit që përfaqëson. Në fund të fundit, autoriteti i saj nuk buron nga simpatitë personale, as nga marrëdhëniet diplomatike, por nga besimi se ajo flet në emër të një tradite politike që e vendos ligjin mbi pushtetin dhe parimin mbi interesin.

Bashkimi Europian i kërkon Shqipërisë institucione të pavarura, por çfarë ndodh kur vetë arbitri europian perceptohet si i njëanshëm?

Bashkimi Europian i kërkon Shqipërisë transparencë, por çfarë ndodh kur qytetarët nuk marrin përgjigje bindëse për çështje që kanë tronditur opinionin publik?

Bashkimi Europian i kërkon Shqipërisë luftë kundër korrupsionit, por çfarë ndodh kur krijohet bindja se korrupsioni më i rrezikshëm nuk është vetëm ai financiar, por korrupsioni i gjykimit politik?

Sepse Bashkimi Europian nuk është thjesht një organizatë. Ai është një premtim moral. Është ideja se ekziston një hapësirë politike ku pushteti kufizohet nga ligji dhe ku ligji kufizohet nga drejtësia. Nëse ky premtim fillon të perceptohet si selektiv, atëherë fillon kriza e besueshmërisë.

Franz Kafka shkruante për personazhe që përplaseshin me mekanizma të pakuptueshëm pushteti. Ata trokisnin në dyer që nuk hapeshin kurrë plotësisht. Merrnin përgjigje që nuk shpjegonin asgjë. Dëgjonin autoritete që flisnin me sigurinë e ligjit, por pa transparencën e së vërtetës.

 Sepse kur standardi kërkohet vetëm nga njëra palë, ai pushon së qeni standard dhe kthehet në privilegj.

Dhe kur privilegji vishet me gjuhën e parimeve, fillon korrupsioni më i rrezikshëm nga të gjithë: korrupsioni i vetë besimit publik.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco