Lajmi i fundit

I kërkoi mandatin/ Deputetja sfidon Ramën: Hajde shkojmë në zgjedhjet ta shohim...

Pse djalli tash po pyet për djallin

Pse djalli tash po pyet për djallin

Nga Pse djalli tash po pyet për djallin - 16/06/2026

Nëse i referoheni deklaratës së fundit të kryeministrit Edi Rama në 35-vjetorin e PS-së, ai përdori fjalën "djalli" në kuptim metaforik, jo si person konkret. Duke folur për projektin e investimit në Zvërnec dhe debatin rreth rolit të Jared Kushner, Rama tha se "djalli po kërkon të pengojë investimin", duke iu referuar, sipas tij, dezinformimit, thashethemeve dhe manipulimeve që po qarkullojnë rreth projektit. Ai shtoi se fakti që Kushner ka origjinë hebraike nuk duhet të përdoret si argument kundër investimit.

Por në një demokraci funksionale, debati kryesor nuk duhet të jetë nëse investitori është hebre, arab, amerikan apo shqiptar. As nuk duhet të jetë kush e mbështet apo kush e kundërshton projektin. Thelbi duhet të jetë transparenca, jo gënjeshtra me brirë që sfidon paturpësisht të vërtetën.

Në këtë kuptim, mund të thuhet se "djalli" nuk fshihet te origjina e investitorit, por te pyetjet pa përgjigje që presin njerëzit, të cilët janë ngritur edhe për të protestuar.

Pra, në vend të llogaridhënies, tashmë Edi Rama dhe i tërë pushteti i tij kanë filluar të flasin me gjuhën e ankthit. Nuk flasin më për të qeverisur, as për të bindur dhe as për të shpjeguar. Ata flasin vetëm për t’u fshehur. Dhe kur fshehja bëhet më e rëndësishme se e vërteta, atëherë lind nevoja për një armik të padukshëm, për një figurë të errët, për një djall që duhet kërkuar diku tjetër, larg pasqyrës.

Prandaj pyetja se kush është djalli që kërkon të hyjë mes shqiptarëve, të cilin ka filluar ta kërkojë edhe publikisht dhe me ngulm mortja që po na qeveris, nuk është aq e thjeshtë sa duket. Ajo nuk është një pyetje politike. Është një pyetje psikologjike. Është një pyetje që buron nga vetëdija e trazuar e një regjimtari që ndien se toka po i rrëshqet nën këmbë dhe që kërkon me ngulm një faktor jashtë vetes për ato plagë që i ka hapur vetë.

Në universin e Kafkës, personazhet rrallë e kuptojnë se labirinti ku enden është ndërtuar prej tyre. Ata ecin korridoreve të pafundme duke kërkuar përgjegjësin, ndërsa përgjegjësia i ndjek pas si hija e tyre. Sa më shumë përpiqen t’i shpëtojnë, aq më shumë bien në grackën e saj. Diçka e ngjashme duket se ndodh edhe me Edi Ramën, që ka humbur fare aftësinë për të parë veten.

Ka ardhur një moment kur zemërimi publik nuk është më një episod. As një shpërthim i rastësishëm nuk është. Ai është bërë klimë. Është bërë ajri që thithet në kafene, në familje, në rrugë dhe në tregje. Është bërë një ndjesi e përhershme se shumëçka nuk shkon në mënyrën si qeveriset vendi. Dhe kur një zemërim i tillë merr përmasa të gjera, pushteti nuk përpiqet gjithmonë të korrigjojë veten. Saktësisht, ai përpiqet të ndryshojë pasqyrën.

Njeriu që përballet çdo ditë me pakënaqësinë e grumbulluar kërkon me dëshpërim të krijojë një tregim tjetër. Një histori tjetër. Një skenë tjetër. Në vend të pyetjes për llogaridhënie, ai sjell pyetjen për komplotin. Në vend të diskutimit për përgjegjësinë, ai po sjell diskutimin për armikun. Dhe kuptohet që, në vend të transparencës, po sjell mjegullën.

Kjo është arsyeja pse figurat autoritariste si Edi Rama kanë një ngjashmëri të habitshme me njëra-tjetrën, pavarësisht kohës dhe vendit ku jetojnë. Ato nuk e pranojnë kurrë se kundërshtari më i madh mund të jetë rezultati i veprimeve të tyre. Përkundrazi, kërkojnë gjithmonë një forcë misterioze që, sipas tyre, po pengon marshimin e lavdishëm të pushtetit.

Në këtë mënyrë, djalli është bërë një instrument politik për Edi Ramën. Ai nuk është më një simbol moral, por i kthyer në një mjet propagande. Sa herë që shtohen pyetjet, shfaqet djalli. Sa herë që shtohen dyshimet, shfaqet djalli. Sa herë që kërkohet shpjegim për vendimet e tij të errëta, për kontrata të pakuptueshme, për pasuri publike si Sazani, Zvërneci apo malet shqiptare që zhduken në tunelet e burokracisë dhe interesave private, shfaqet përsëri djalli.

Por problemi i madh i këtij mekanizmi është se ai funksionon vetëm për një kohë të kufizuar. Sepse njerëzit mund të mashtrohen nga një histori, por nuk mund të mashtrohen pafundësisht nga realiteti që përjetojnë çdo ditë. Ata mund të harrojnë një fjalim, por nuk harrojnë faturën që paguajnë. Mund të harrojnë një slogan, por nuk harrojnë vështirësinë e jetës së tyre. Mund të harrojnë një premtim, por nuk harrojnë zhgënjimin që u është kthyer në shoqërues të përhershëm.

Kështu, pushteti fillon të ngjajë me një aktor që luan një rol të cilit nuk i beson më as vetë. Fjalët e tij bëhen gjithnjë e më të gjata, ndërsa kuptimi i tyre bëhet gjithnjë e më i shkurtër. Deklaratat bëhen gjithnjë e më të bujshme, ndërsa besimi që prodhojnë bëhet gjithnjë e më i vogël. Është sikur ndërtohet një teatër gjigant për të fshehur boshllëkun që po zmadhohet pas skenës.

Dhe aty lind paradoksi më i madh. Ai që kërkon djallin në çdo cep të shoqërisë nuk arrin të kuptojë se njerëzit nuk janë më të interesuar për figurat e errëta që ai shpik. Ata janë të interesuar për pasojat konkrete të qeverisjes. Për mënyrën si administrohen pasuritë publike. Për mënyrën si merren vendimet. Për mënyrën si funksionon drejtësia. Për mënyrën si shpërndahet pushteti.

Në vend që të përballet me pyetjet e shumta të krizës që shoqëria shqiptare i ka nxjerrë fill edhe në rrugë, ai përpiqet të ndërtojë një dramë morale ku vetë paraqitet si viktimë. Dhe kjo është ndoshta përpjekja më e fundit e çdo pushteti që ndien fundin e tij historik. Nga sundues, ai përpiqet të bëhet i përndjekur. Nga përgjegjës për katastrofat që i ka krijuar vendit, përpiqet të bëhet viktima. Nga autor i ngjarjeve, përpiqet të bëhet personazh i pafajshëm i tyre.

Megjithatë, pyetja për djallin nuk ka nevojë të drejtohet nga tribuna të mëdha. Ajo ka nevojë vetëm për një pasqyrë. Sepse ka raste kur njeriu kërkon me aq ngulm një armik jashtë vetes, sa harron se hija që e ndjek pas nuk vjen nga të tjerët. Ajo lind nga drita që bie mbi veprat e tij.

Dhe kur zemërimi i një shoqërie arrin pikën ku nuk mund të fshihet më me fjalë, slogane apo skenarë të rinj, atëherë nuk është më koha për të kërkuar djallin. Është koha për të parë drejt në sy pasojat e asaj që është bërë. Sepse aty ku mungon reflektimi, propaganda bëhet strehë. Dhe aty ku propaganda bëhet strehë, e vërteta fillon të trokasë me një forcë që asnjë pushtet nuk mund ta ndalë përgjithmonë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco