Sezoni i ri turistik në Shqipëri ka nisur me tragjedi, ndërkohë që qeveria propagandon arritjet e një "turizmi elitar". Vetëm në plazhet e Lezhës dhe atë të Tales janë shënuar së fundmi katër viktima të mbytura në det, duke ngritur një alarm të vërtetë për mungesën totale të sigurisë. Turizmi në vend paraqitet si një sektor kaotik dhe i improvizuar, ku shteti ka braktisur plotësisht rolin e tij detyrues për të imponuar standardet bazë. Vëmendja institucionale duket se është e fokusuar vetëm te përfitimet e dhënies së plazheve te privatët dhe te korrupsioni, duke i lënë pushuesit në mëshirë të fatit, pa roje bregdetare dhe pa infrastrukturën e nevojshme që mund të shpëtonte jetë njerëzish.
Paralelisht me situatën alarmante në bregdet, vendi po përballet me një tronditje të fortë ekonomike. Monedha europiane ka prekur minimumin e saj historik, duke u këmbyer me rreth 94 lekë. Ndërsa institucionet qeveritare e justifikojnë këtë rënie me fluksin e pretenduar të miliona turistëve, realiteti i shifrave tregon një tablo krejt të ndryshme. Sipas Petrit Vasilit që ishte i ftuar në edicionin e mesditës në Syri tv me moderatorin Bled Marku, eksportet e vendit, përfshirë sektorë jetikë si fasoneria, janë në rënie të lirë dhe nuk ka asnjë fluks masiv të ardhurash të ligjshme që të justifikojë një forcim të tillë të lekut vendas.
E vërteta pas kësaj anomalie ekonomike lidhet drejtpërdrejt me ekonominë e zezë. Shqipëria është kthyer në një lavatriçe gjigante të pastrimit të parave, me rreth 12 miliardë euro që raportohet se qarkullojnë tërësisht jashtë sistemit bankar. Këto para të pista dhe informale po injektohen masivisht në atë që po quhet "ekonomia e kullave", duke u pastruar përmes ndërtimeve të larta, resorteve dhe kazinove. Ky fluks i parasë kriminale jo vetëm që po zhvlerëson thellë euron, por po shkatërron tërësisht ekonominë e strukturuar dhe prodhuese të vendit, duke i kthyer shifrat e turistëve thjesht në një alibi propagandistike të radhës.
Bled Marku: Atëherë po nisim menjëherë bisedën zoti Vasili, duke marrë shkas edhe nga një ngjarje e cila ka ndodhur vetëm pak minuta më herët. Dy të mbytur në në plazhin e Tales. Të kujtojmë që jemi në prag të nisjes së sezonit turistik dhe vetëm në plazhet e Lezhës janë katër persona të cilët kanë ndërruar jetë, janë mbytur pra në det. Sigurisht jemi edhe në kohën kur kryeministri Edi Rama flet për turizëm elitar, dhe sigurisht më së shumti janë turistë të cilët qëndrojnë nëpër kulla dhe turistat që mbyten nëpër plazhe.
Petrit Vasili: Nuk ka asnjë diskutim më të vogël që në Shqipëri nuk bëhet një turizëm me standarde. Është një turizëm kaotik, i improvizuar, dhe ato që janë standardet bazike të cilat gjenden rëndom kudo që të shkoni në të gjithë Mesdheun dhe të gjithë plazhet e botës, këto bazike në Shqipëri nuk respektohen, sepse, roli detyrues i shtetit nuk ekziston në mënyrë absolute. E gjithë vëmendja është se si do shkëmbejnë, si do rrëmbejnë paratë për t'u dhënë plazhet privatëve, si do të sigurojnë përfitime, t'ia çojnë në dhomë një mundësi për të vjelur para dhe për të zhvilluar korrupsionin, dhe jo për të imponuar standardet e domosdoshme që fillojnë nga siguria në plazhe, nga mënyra se si ofrohen shërbimet e të gjitha llojeve, nga infrastruktura turistike në dispozicion të pushuesve të cilat e gjitha duhet të jetë e kontrolluar, e monitoruar. Pra, jo të bëjnë mrekullinë e botës, të bëjnë minimalisht ato standarde që gjenden në të gjithë vendet fqinje. Po të shkoni dhe në Maqedoninë fqinje, apo të shkoni në Ulqin, nuk po them Greqi. Pra dua të them që kemi vetëm shtetin e propagandës, dhe të korrupsionit, këtu nuk kemi shtetin i cili mund të realizojë një veprimtari të caktuar siç është turizmi, një veprimtari e madhe, me standarde. Sepse korrupsioni dhe joprofesionalizmi nuk kanë asgjë të përbashkët me një turizëm i cili ka standarde minimalisht të domosdoshme. Kështu që ngjarje të tilla që janë vërtet një moment shumë i madh hidhërimi për këdo që ne dëgjojmë. Se mendoni pak çfarë tragjedie konsumohet në ato familje që kanë ardhur në momentin më të bukur të vitit për të kaluar pushimet, dhe duhet të përballen me një tragjedi të kësaj natyre. Të cilat standardet e mira për sigurinë në plazhe, mund t'i evitonin plotësisht.
Bled Marku: Rikthehemi tek tema për të cilën edhe e caktuam këtë bisedë zoti Vasili. Sigurisht ju keni bërë një reagim në profilin tuaj në Facebook, ku keni deklaruar se euro tashmë është në minimumin historik të saj, afërsisht 94 lekë për një euro. Kryeministri Edi Rama thotë se euro ulet për shkak të 10 milionë, 12 milionë, apo perspektivës 20 milionë turistësh të cilët pritet të vijnë në të ardhmen në Shqipëri. Madje kemi edhe rolin e Bankës së Shqipërisë. Pse është kjo euro në këtë çmim, në minimumin historik të tij?
Petrit Vasili: Është momenti që të gjithë gjërat t'i themi shumë qartë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë. Të mos përdorim as gjuhën e Bankës së Shqipërisë dhe as gjuhën mashtruese të Edi Ramës. Shumë thjesht dhe saktë, euro shkon poshtë e më poshtë sepse Shqipëria është kthyer në perandorinë, mbretërinë, lavatriçen më gjigante të pastrimit të parave në të gjithë Europën, ndoshta me parametra që nuk e di se me ç'vend tjetër mund të arrijë të ta rivalizojë. Për njerëzit, për disa është pyetje shumë e thjeshtë. Dhe këtu le të jemi objektivë me tregues, të mos u ikim fjalëve të propagandës së Edi Ramës. Së pari, euron mund ta trondisin, mund të ketë ndikim mbi euron, në qoftë se vendi ka një veprimtari ekonomike intensive dhe ka eksporte shumë të mëdha. Pra eksporton shumë dhe akumulon shumë të ardhura. Ne e dimë, përgjigja për këtë argument është: eksportet në Shqipëri janë vetëm në rënie në mënyrë absolute.
Kemi një sektor shumë të madh, të rëndësishëm në Shqipëri siç është fasoneria. Në ç'gjendje është? Në lulëzimin e saj? Jo, absolutisht, treguesit vetë të qeverisë, i lëmë vlerësimet tona si opozitë e të tjerë, janë në një pikiatë e cila shkon poshtë e më poshtë. Pra, eksportet fuqizuese vetëm bien, e nuk rriten. Dhe argumenti tjetër që mund të kemi një sasi të madhe fluksi të ardhurash që vijnë nga shumë veprimtari prodhuese të tjera që kanë ekzistuar në Shqipëri, të gjitha këto janë sakatuar për shkak të kostove, për shkak të veprimtarive kriminale që janë futur. Kemi parë lulëzim të madh call center-ash siç e keni parë, apo jo? Dhe njëkohësisht, çfarë kemi parë tjetër? Kemi parë në mënyrë absolute ekonominë e kullave. Dhe ekonomia e kullave çfarë është? Ekonomia e kullave është ekonomia e parave që pastrohen, lahen e pastrohen në kulla, në resorte, në hotele, në kazino e të tjera e të tjera. Cili është fakti që na ndihmon për këtë punë? Dhe këta s'kanë asnjë shans si ta fshehin. Rreth 12 miliardë euro kanë qarkulluar jashtë sistemit, në ato që janë pikat e këmbimit. Gjithë kjo para e cila qarkullon jashtë sistemit, e cila qarkullon në dorë, çfarë tregon? Tregon qartazi që paraja e pisët, informale, është futur në sistem, është injektuar dhe ka hedhur në tokë një ekonomi të strukturuar, të orientuar dhe afatgjatë…
© SYRI.net