Lajmi i fundit

SYRI DIGJITAL/ Shqipëria në revoltë kundër Edi Ramës

Vrasja e gjyqtarit të Apelit, Salianji: Dështim i institucioneve të sigurisë, goditje e themeleve të shtetit

Vrasja e gjyqtarit të Apelit, Salianji: Dështim i institucioneve të sigurisë, goditje e themeleve të shtetit

17:34, 06/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ngjarja e rëndë që tronditi sot sistemin vendin, ku gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja, u vra brenda sallës së gjyqit, ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe politik.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, e cilësoi aktin si një sinjal alarmi për dështimin e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë në vend. Në një reagim publik, ai shprehu ngushëllimet për familjen e gjyqtarit dhe të personave të plagosur, duke theksuar se kjo ngjarje tragjike nuk mund të mbetet pa përgjegjësi institucionale.

‘Sot, kur një magjistrat është vrarë brenda mureve të gjykatës, në ambientin që duhet të jetë më i sigurti në republikë, nuk kemi të bëjmë thjesht me një krim të rëndë. Kemi të bëjmë me shfaqjen publike të dobësisë së sistemeve që duhet të na mbrojnë nga dhuna: policia, protokollet e sigurisë dhe shpërndarja e përgjegjësisë brenda shtetit,’ shkruan Salianji në Facebook.

Sipas tij ky akt përbën një ‘goditje ndaj themeleve të shtetit ligjor’ dhe se dhuna ndaj magjistratëve është një sinjal alarmi për rrezikun që i kanoset sistemit të drejtësisë.

‘Dhuna brenda një institucioni të drejtësisë është një goditje ndaj themeleve të shtetit ligjor. Sulmet ndaj magjistratëve janë jo vetëm tragjedi për familjet dhe kolegët, por edhe sinjal i qartë që institucionet tona po dështojnë në detyrën më themelore: të sigurojnë rregullin dhe të mbrojnë qytetarin dhe zbatimin e ligjit,’ theksoi ai.

Në fund të reagimit të tij, Salianji kujtoi se edhe në të kaluarën janë shënuar raste kërcënimesh dhe sulmesh ndaj magjistratëve, duke paralajmëruar se mungesa e reagimit serioz ndaj këtyre fenomeneve e ka përkeqësuar situatën.

‘Në të kaluarën kemi parë raste sulmesh dhe kërcënimesh ndaj magjistratëve, që tregojnë se rreziku ndaj institucioneve është i pranishëm dhe shqetësues,’ përfundoi ai.

Ngjarja tragjike në gjykatë ka hapur debat të gjerë mbi sigurinë në institucionet e drejtësisë dhe përgjegjësinë e strukturave shtetërore për ruajtjen e rendit dhe jetës së funksionarëve publikë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco