Skandali i Taksave në Tiranë! Audio të reja zbulojnë një skemë kriminale të frikshme (Pjesa 2)

21:01, 19/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Javën e kaluar emisioni investigativ 'Piranjat' tregoi se si Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë e Tiranës ishte shndërruar në një grup të strukturuar kriminal, që jo vetëm vidhte qytetarët, por i shkaktonte një dëm kolosal edhe vetë arkës së bashkisë më të madhe në vend.

Tani, në pjesën e dytë të audiopërgjimeve, zbardhen mekanizmat e brendshëm të kësaj skeme korruptive.

“50 mijëshet e përditshme” dhe zarfi nën dorë

Në regjistrimet e siguruara, inspektori Gerd Mihali, nën drejtimin e atëhershëm të Arli Naskës, shpjegon hapur një praktikë abuzive: përdorimin e hapësirës publike si pronë private dhe taksimin minimal të subjekteve, në këmbim të zarfeve me para nën dorë.

Në bisedë, përmenden edhe “50 mijëshet e përditshme”, shuma që justifikoheshin si shpenzime ditore, por që realisht ishin pjesë e një skeme zhvatjeje të mirëorganizuar.

Lexo dhe:  AUDIO/ Hapësirat publike dhe abuzimet me taksat, përgjimet që zbulojnë rrjetin e inspektorëve (Pjesa e Pare) 

Dy USB-të, dy realitete

Një tjetër detaj tronditës është fakti se drejtuesit e kësaj strukture mbanin dy sisteme të dhënash:

Një zyrtar, i dorëzuar në shtet, dhe një tjetër sekret, për llogari të grupit.

Përmes kësaj metodologjie kontrolli, performanca e çdo inspektori matej në bazë të shumës së mbledhur, e cila sipas burimeve tona arrinte në 300 milionë lekë. Kur kuota nuk përmbushej, ndërmerreshin ekspedita “ndëshkimore”, duke kujtuar taksidarët e dikurshëm të hyqymetit.

Emra, zona dhe ndarje përqindjesh.

Në audio përmenden edhe emra konkretë si Artan Ligori (“Tani”), që gëzonte një rol të veçantë në mbledhjen e shumave të mëdha, kryesisht nga magazinat e qytetit.

Ndërsa ish-deputeti Xhemal Qefalia përmendet si faktor ndikimi politik, duke ngritur dyshime se skema kishte jo vetëm synime financiare, por edhe elektorale.

Mohimi dhe mungesa e përgjegjësisë.

Megjithëse ekzistojnë regjistrime të qarta, Mihali ka mohuar publikisht që zëri në audiopërgjim t’i përkasë atij. Por faktet flasin ndryshe, ndërsa qytetarët kërkojnë përgjigje për pyetjet e mëdha:

Kush përfitoi nga reduktimi i hapësirës publike?

Pse u mbajtën dy sisteme të dhënash?

Cilat janë lidhjet e kësaj skeme me funksionarë të lartë të Bashkisë së Tiranës?

E gjithë kjo që u bë publike deri tani, është vetëm maja e ajsbergut. Shumë pjesë të skemës mbeten ende të fshehura. Tashmë, është detyrë e organeve ligjzbatuese të hetojnë në detaje këtë aferë, ku përfshihen jo vetëm drejtues të niveleve të mesme, por edhe persona të afërt me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, një pjesë e të cilëve sot ndodhen në burg/ Piranjat/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Denonco