Gazetari Venhar Isufi nga Prishtina, në një intervistë për Syri Tv, tha se mbrëmë protestat masive në Beograd dhe në Novi Sad janë përshkallëzuar, duke çuar deri në djegien e zyrave të partisë së Aleksandar Vuçiç, ku brenda ndodheshin mbështetësit e tij.
Sipas Isufit, ata kanë tentuar të mbrojnë zyrat e presidentit, por jo studentët dhe qytetarët që po protestojnë prej ditësh për largimin e Vuçiç nga pushteti.
Ai theksoi se trazirat pritet të rriten dhe se nga grupet ku ka qasje, vijnë thirrje të vazhdueshme që protestat të mos ndalen deri në rrëzimin e regjimit. Sipas tij, këtë herë protestuesit janë të vendosur t’u përgjigjen edhe fizikisht forcave të Vuçiç.
Isufi u shpreh se ajo që e sheh si më tronditëse është fakti që policia serbe, në vend që të garantojë sigurinë e protestuesve dhe studentëve, po vepron në bashkëpunim me grupet kriminale të Vuçiç, duke sulmuar bashkërisht studentët. Ai akuzoi presidentin serb se është i zhytur thellësisht në krim dhe në mbështetje të grupeve kriminale, të cilat sipas tij janë të lidhura ngushtë me pushtetin.
Isufi:
Mbrëmë protestat masive në Beograd por edhe në Novi Sad janë përshkallëzuar ku sipas asaj që kemi parë edhe zyrat e partisë së Aleksandar Vuçiç janë djegur të tëra, ku brenda tyre kanë qenë mbështetësit e Vuçiç të cilët kanë tentuar t’i mbrojnë zyrat e presidentit të tyre por jo të presidentit të studentëve dhe të gjithë atyre qytetarëve të cilët janë duke protestuar dhe duke kërkuar vazhdimisht largimin e Vuçiç nga pushteti.
Ka pasur trazira të cilat do të rriten edhe më shumë, edhe thirrje e të gjithë studentëve dhe atyre që janë duke protestuar, në disa grupe ku edhe unë kam qasje, ku ata vazhdimisht bëjnë thirrje që protestat të mos ndalen dhe të shkojnë deri në fund për të rrëzuar regjimin.
Kësaj radhe janë të vendosur të përgjigjen edhe fizikisht, por t’i përgjigjen edhe grupeve të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç.
Ajo çfarë unë e shoh shumë tronditëse është që në vend se policia serbe të krijojë më shumë siguri për protestuesit, studentët dhe të gjithë ata qytetarë të cilët janë në rrugë, ata po kujdesen për grupet kriminale të Vuçiç duke i sulmuar studentët bashkërisht, policia me grupet e Vuçiç duke kryer sulme ndaj studentëve të cilët janë në këmbë për të rrëzuar një president i cili sipas deri më tani thirrjeve që bëjnë studentët është president i cili është i zhytur thellësisht në krim por edhe në mbështetje të grupeve kriminale ku ne e dimë se atje janë të gjitha ato grupe të afërta me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç.
© SYRI.net