I ftuar në edicionin informative të lajmeve në Syri TV, Drejtori i Institutit për Bashkitë Shqiptare, Agron Haxhimali, kritikoi ashpër mënyrën se si po menaxhohet mbrojtja civile në vend, duke theksuar se qeveria ka humbur busullën dhe nuk ka as vizion dhe as strategji për të përballuar situata emergjente.
Haxhimali theksoi se bashkitë shqiptare nuk kanë as kapacitetet njerëzore, as teknologjinë dhe as fondet për të përballuar përmbytje, tërmete apo zjarre masive si këto që kanë pushtuar vendin ditët e fundit, ndërsa qeveria, sipas tij, nuk ka bërë asnjë përpjekje serioze për t’i mbështetur.
Ai solli në vëmendje edhe kontradiktat brenda vetë kabinetit qeveritar për çështjen e avionëve zjarrfikës, duke theksuar se ka mungesë të theksuar koherence dhe serioziteti në nivel qendror.
Sipas Haxhimalit, reforma territoriale transferoi përgjegjësi te bashkitë pa u dhënë mjete, duke i lënë ato të përballen të vetme me kriza të përmasave kombëtare.
Pjesë nga deklarata:
Në raste përmbytjesh, tërmetesh apo emergjencash të tjera, bashkitë pavarësisht përpjekjeve të tyre nuk kanë potencialin e duhur, as financiar, as infrastrukturor, dhe as në burime njerëzore, për të ndërhyrë e për të rikuperuar situata të tilla. Ato nuk janë në kushte të shëndetshme nga pikëpamja e teknologjisë, jo vetëm për të përballuar ngjarje të kësaj përmase, por as edhe më të vogla. Bashkitë përballen me shumë probleme.
Këtu, bashkitë duhet të marrin përgjegjësitë e tyre. Legjislacioni e ka përcaktuar shumë qartë që për çdo 1,500–2,000 banorë duhet të ketë një punonjës zjarrfikës. Ky kriter nuk është vendosur kot, dhe është për të ardhur keq që nuk është përmbushur ky standard. Buxheti për këtë fushë është vetëm 9 euro për qytetar pra, 21 milionë euro për 61 bashkitë dhe 70 stacione zjarrfikëse në total. Duhej të ishin më mirë të organizuara, të ngrinin zërin përpara qeverisë, të kërkonin më shumë buxhet për të arritur standardin minimal.
Nuk është se bashkitë nuk duan të shtojnë numrin e punonjësve, por ato realisht nuk kanë burime të mjaftueshme. Duhet theksuar se jam kritik ndaj mënyrës se si bashkitë po artikulojnë qëndrimet e tyre. Ky funksion u transferua te to pas reformës territoriale, por bashkë me të u transferuan edhe teknologjitë e vjetra. Qeveria mund të mos ketë shumë të drejtë morale për të kritikuar bashkitë, por kjo nuk do të thotë se ato duhen justifikuar.
Në deklaratat e Kryeministrit Rama kam konstatuar se ministri i mëparshëm i Mbrojtjes ka deklaruar se “nuk kemi nevojë për dy helikopterë, sepse kushtojnë shumë, na i ofrojnë fqinjët me qira dhe nuk ka pse të harxhojmë aq shumë para”. Pastaj erdhi një tjetër dhe tha se “do t’i blejmë, por ende nuk janë prodhuar”. Ndërkohë, Rama thotë se “i kemi avionët tanë dhe s’kemi më nevojë”. Këto janë deklarata kontradiktore, që tregojnë se vetë qeveria nuk është e organizuar. Në fakt, qeveria e ka humbur busullën sa i takon çështjes së mbrojtjes civile. Ka mungesë vizioni dhe strategjie.
© SYRI.net