SYRI TV
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani ka zhvilluar një takim informal me gazetarët ku ka folur në lidhje me çështje të ndryshme të cilat institucioni i tij po i heton. Dumani u shpreh se në dosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj është hapur një fraksion i ri, dhe po hetohet. Ndërsa task-forcën e ngritur për parandalimin e blerjes së votës e cilësoi sit ë suksesshme. Në lidhje me Kodin Penal, Dumani tha se ka të njëjtat shqetësime si Olsian Çela, ndërkohë nuk komentoi vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Altin Dumani ka paralajmëruar se për Erjon Veliajn ka një tjetër dosje hetimore, që po hetohet. Një ditë pasi Veliaj nga qelia i drejtoi 7 pyetje duke e akuzuar për përdorim politik dhe në ditën që Edi Rama i ndryshoi 4 nënkryetarët, edhe Altin Dumani ka folur për këtë çështje, duke lëshuar një tjetër paralajmërim për kryebashkiakun e arrestuar që kërkon lirimin nga qelia, ndërsa flet për persekucion politik, me qëllim asgjësimin e tij politik.
‘Nuk kam ndërmend të lexoj pyetjet e të pandehurve dhe t’i përgjigjem. Ne reagojmë me aktet. Kur institucioni e sheh të arsyeshme reagon në mënyrë publike. Në raport me procesin ne i përgjigjemi nëse i pandehuri apo avokati sjell një kërkesë ose memo dhe aty vendosim t’i marrim në konsideratë kërkesat e personit nën hetim. Ka një fraksion tjetër hetimor për Erion Veliajn. Po hetohen disa fakte penale’.
Gjatë bashkëbisedimit informal me gazetarët kreu i SPAK ka folur edhe për krimet zgjedhore, duke e cilësuar sukses Task-Forcën, por sipas tij ka vetëm një rast që është dërguar në gjykatë dhe po hetohen vetëm 20 % e kallëzimeve të kryera. Ndërsa SPAK duhet të kryente verifikime dhe hetime për këto raste, Dumani deklaroi se provat duhet ti sjelli kallëzuesi, në vend që t’i hetoj SPAK.
‘Janë 193 materiale, 56 kallëzime nga partitë, 35 policia, 80 kallëzime nga qytetarë. Janë 43 vendime mosfillimi për mungesë të veprës penale. Blerja e votës kallëzimet nga forcat politike, shumica formale nuk shoqërohen me prova’.
Dumani foli edhe për ndryshimet në Kodin Penal, duke konfirmuar se SPAK nuk është pyetur për këtë propozim, ndërsa u shpreh se mbështet qëndrimin e Prokurorit të Përgjithshëm Olsjan Çela që kundërshtoi Kodin e ri Penal.
‘Debati i parë duhet të ishte bërë, a ishte i nevojshëm Kodi i ri apo të punohej mbi kodin aktual. Unë vetë besoj që ka nevojë për ndryshime, për shembull neni për narkotikët, të ndahet sipas sasisë dhe llojit të drogës. Është një draft, ne se kemi marrë zyrtarisht, nuk jemi përfshirë në hartimin e tij, kur të na vijë do e analizojmë dhe do mbajmë një qëndrim. Kam parë qëndrimin e Prokurorit të Përgjithshëm, kam diskutuar me të dhe në shumë gjëra ndaj të njëjtat mendime me të’.
Ndërsa për Erion Veliajn, nuk hezitoi të fliste për një hetim të ri në ngarkim të tij, të njëjtin standard, Dumani nuk e kishte për hetimin për gjyqtaren Irena Gjoka, duke pohuar që ka regjistruar procedim pa emër, pasi vepra penale nuk është kryer në Shqipëri, e ai nuk ka dijeni ende.
‘Është regjistruar një procedim penal pa emër. I kemi kthyer përgjigje zonjës Kalaja. Regjistrimi pa emër se duhet të provosh faktin penal. Fakti i kallëzuar nuk është zhvilluar në Shqipëri. Duhet të provojmë ekzistencën e faktit penal ku futen në lojë dhe komunikimet me institucionet e tjera’.
Dumani foli dhe për vendimin e Gjykatës së Strasburgut për ish-drejtorin e RTSH, Thoma Gëllçi. Ai tha se Avokatura e Shtetit nuk ka komunikuar në asnjë moment me SPAK në lidhje me çështje duke sjellë pasaktësi në informim dhe për rrjedhojë atë vendim. Në lidhje me vendimin e Kushtetueses për sekuestrimin e telefonave, kreu i SPAK tha se nuk i komenton ato por vetëm i zbaton.
© SYRI.net