Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar një takim me fermerët në zonën e Cërrikut. Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se, buxheti i qeverisë Rama për fermerët është qesharak. Sipas tij, nga 52 milionë që është caktuar në buxhet, 20 zhduken rrugës, ndërsa buxheti real për bujqësinë është 30 mln euro.
‘Në shifra është 52 milionë, por atë pjesë e merr burokracia dhe e merr administrata. Fermerëve u ngel për të gjithë veprimtaritë e tyre, u ngelen 32 milionë euro. Nuk ka shifër më qesharake. Absolutisht çdo fermer tjetër jashtë kufijve të këtij vendi, pa zbritur në Greqi se atje është krejt tjetër, por duke marrë Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, kanë të paktën gjashtë herë më shumë subvencione.’, tha Berisha.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Së pari një përshëndetje shumë të përzemërt dhe falënderim për të gjithë ju që jeni këtu. Përshëndetje për të gjithë fermerët e Cërrikut, Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë.
I dashur Tomorr, drejtues politik i qarkut Elbasanit, i dashur kryetar i Partisë Demokratike Cërrikut, ju përshëndes dhe ju deputeti Himçi, Haxhinasto.
Takimi me fermerët, është takimi me njerëzit që kafshatën, jetesën e ndërtojnë mbi mundin, djersën dhe sakrificën e tyre.
Në këtë drejtim, punëtorët e tokës janë punëtorët themeli. Janë njerëz të sakrificës, të mundit, por edhe të nderit dhe dinjitetit.
Ndaj dhe është gjithnjë kënaqësi takimi me ju. Dhe vij këtu për t'ju garantuar ju se për ne mbështetja e juaj, mbështetja e fermerëve shqiptarë është një nga përparësitë më të mëdha.
Sepse në fushat, në shpatinat, në luginat e këtij vendi ka një potencial të jashtëzakonshëm prodhimi, të ardhurash jo vetëm për familjet por për kombin në tërësi.
Ju sot për fatin më të keq, më të papranueshëm, jeni fermerët më të diskriminuar në rajon dhe në Europë. Ju jepni 20% të prodhimit të brendshëm dhe merrni 0.19% të tij.
Nuk ka pabarazi dhe padrejtësi më të madhe se kjo. Ta kthejmë në shifra të tjera: fondi buxhetor për bujqësinë realisht është 32 milionë euro.
Në shifra është 52 milionë, por atë pjesë e merr burokracia dhe e merr administrata. Fermerëve u ngel për të gjithë veprimtaritë e tyre, u ngelen 32 milionë euro. Nuk ka shifër më qesharake. Absolutisht çdo fermer tjetër jashtë kufijve të këtij vendi, pa zbritur në Greqi se atje është krejt tjetër, por duke marrë Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, kanë të paktën gjashtë herë më shumë subvencione.
Të paktën gjashtë herë më shumë. Çfarë ndodh kështu? Dhe përveç subvencionit, të gjitha këto vende pa përjashtim, fermerët e marrin naftën me gjysmën e çmimit që e merrni ju.
Ju mund të habiteni, por ka një politikë absolutisht armiqësore ndaj jush.
© SYRI.net