Lideri i opozitës Sali Berisha u ka bërë thirrje të rinjve shqiptarë kudo që janë që të mblidhen në Tiranë ku qytetarët dhe rinia janë në ditën e 14 të protestës kundër qeverisë së Edi Ramës.
'Jam këtu për t'u bërë thirrje të gjithë atyre të rinjve që janë sot në ferma, unë e di se lodheni gjatë ditës, por bëni gjithçka të jeni tek bashkëmoshatarët tuaj në Tiranë. Se ata po firmosin historinë, po shpëtojnë Shqipërinë nga regjimi më i keq që ka patur pas Enver Hoxhës gjer sot.’, theksoi ai.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi edhe faktin se, në Shqipëri bujqësia dhe blegtoria janë në minimumin e kreditimit nga shteti.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Tani, mund të flitet për këtë qeveri dhe për këtë njeri ditë të tëra, por t'ju them të vërtetën, koha ka ardhë që çdo shqiptar të kontribuojë për t'i dhënë një shtytje dhe për ta hequr nga ai vend ku është.
Jam këtu për t'u bërë thirrje të gjithë atyre të rinjve që janë sot në ferma, unë e di se lodheni gjatë ditës, por bëni gjithçka të jeni tek bashkëmoshatarët tuaj në Tiranë.
Se ata po firmosin historinë, po shpëtojnë Shqipërinë nga regjimi më i keq që ka patur pas Enver Hoxhës gjer sot.
Unë ju garantoj ju se programi ynë synon një transformim të plotë të prodhimit bujqësor dhe blegtoral, të pemëtarisë në të gjithë vendin. Në këtë kuadër, siç theksova, në vitin e parë, do të gjashtëfishojmë buxhetin për fermerët.
Dhe absolutisht nuk do jetë kurrë më i ulët sesa mesatarja e vendeve të rajonit. Jo! Dhe ju garantoj se në ato shifra mundësitë e kësaj toke, mundësitë tuaja për të dy dhe trefishuar prodhimin janë reale. Sigurisht janë reale.
Bujqësia sot dhe blegtoria ka minimumin e minimumit të kreditimit. Në një kohë kur sistemi i kreditit për fermerin është jetik.
Sistemi i vendosur nga të tjerët absolutisht edhe 90 vite para dhe plotësisht i mundshëm për t'u vendosur në Shqipëri.
1% i totalit të kredive të vendit shkon në bujqësi dhe në ferma. Asgjë pra.
Ne marrim përsipër dhe do marrim përsipër të shumëfishojmë kreditin dhe shteti të marrë përsipër një pjesë të interesave, në mënyrë që kreditë tuaja të jenë të buta, të leverdishme.
Pa një sistem kreditimi të mundshëm për ju, është e pamundur të zhvillohet. Do bëjmë gjithçka për përmirësimin e farërave, fidanëve, inputeve bujqësore, për nxitjen e serave dhe intensifikimin e prodhimit në sera.
Një agjenci do ngrihet vetëm për t'u orientuar ju drejt tregut. E domosdoshme kjo agjenci për orientimin e fermerëve tanë në kohë reale për tregun. TVSH-ja do unifikohet, e njëjtë në shitje dhe blerje.
Përfituesi i saj do jeni ju, fermerët. Siç janë në gjithë botën përveçse në Shqipëri. Pra do bëjmë gjithçka për organizimin e këshillës për fermerët. Këshillës falas për fermerët. Do shtrihet në të gjithë vendin sistemi i këshillimit.
© SYRI.net