SYRI TV/  Mediat italiane: Shqipëria, autokracia ku njerëzit largohen dhe kullat ngrihen

SYRI TV/ Mediat italiane: Shqipëria, autokracia ku njerëzit largohen dhe kullat ngrihen

21:32, 30/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetarja e mirënjohur Lucia Tozzi i ka kushtuar një artikull betonizimit masiv të Tiranës, ku merr në shqyrtim gratacielat boshe dhe qindra kantierët e ndërtimit që kanë pushtuar kryeqytetin shqiptar.

Në një shkrim për revistën Lucy Sulla Cultura, e multimedias së njohur Domani, Lucia Tozzi sjell vëmendjen te uzurpimi i hapësirave publike dhe të gjelbërta për të ndërtuar gratacielat masive nga Edi Rama dhe miqtë e tij arkitektë, duke përmendur këtu edhe marrëdhënien e tij me Stefano Boerin, i cili është aktualisht nën hetim për afera në urbanizimin e Milanos dhe që qëndron pas Projektit Pylli Vertikal. Artikulli në mënyrë ironike titullohet “Tirana, është e ardhmja e Milanos”, duke vlerësuar se transformimi i Tiranës mund të tregojë shumë për të ardhmen e metropolit italian, duke marrë shembull hetimin masiv të planifikimit urban në Milano.

Gazetarja italiane vë në dukje se të rinjtë në Shqipëri po largohen në masë nga vendi në kërkim të një jete më të mirë, dhe Kryeministri Edi Rama injoron problemin dhe vazhdon të derdhë miliona metra kub beton në kryeqytet.

Lucy Sulla Cultura: “Tirana, dhe Shqipëria në tërësi, po humbasin banorë: popullsia totale sot arrin në pak mbi 2.3 milionë (një e treta më pak se kulmi i saj) dhe po plaket në mënyrë dramatike, ndërsa të rinjtë vazhdojnë të ikin jashtë vendit në kërkim të standardeve më të mira të jetesës.
E megjithatë, në vend që të ndryshojë politikat e tij, ai vazhdon të postojë video të vetes duke përqafuar të fuqishmit e botës dhe duke derdhur miliona metra kub beton gjithnjë e më të shtrenjtë në kopshtet që dikur ishin të mbushura me njerëz në Tiranë. Parku përreth liqenit në jug të qytetit është i rrethuar nga kantiere ndërtimi aktuale dhe të ardhshme, sepse brigjet ujore dhe pamja e parkut, siç dihet mirë, rrisin vlerat e pronave: dhe kështu ja ku janë blloqe kullash si Lake View, Grand Park View, Lake Diamond Tower dhe Tirana Rocks.”

Gazetarja Tozzi deklaron se autokracia e Ramës është joshëse për udhëheqësit italianë, pasi ai është në gjendje të shkelë rregullat me lehtësi për të favorizuar interesat e grupeve të pasurive të paluajtshme dhe të biznesit.
Lehtësia me të cilën ai mund t’i përkulë rregullat për të favorizuar interesat e grupeve të pasurive të paluajtshme dhe të biznesit që e mbështesin është një pikë referimi në sytë e tyre, të paktën për sa kohë që ai është në gjendje të kontrollojë imazhin e tij kombëtar dhe ndërkombëtar, i mbështetur nga artistët dhe arkitektët që i bashkohen oborrit të tij. Rezultati material i kësaj lirie për të qeverisur është skllavërimi i njerëzve dhe hapësirave: qyteti bëhet vertikal dhe rritet me shpejtësi, por pa banorë. Zbrazet dhe polarizohet, duke humbur të gjithë kujtesën e vetes dhe vetë aftësinë për të ngjallur dëshirën. Duket si një shkretëtirë, por me ngjyra.

Artikulli përmend edhe Kryebashkiakun Erion Veliaj, ku ndalet te shembja e Teatrit Kombëtar dhe fakti se ai sot është i burgosur.

Prej javësh, mediat në Itali kanë ngritur alarmin për pastrimin masiv të parave në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, alarm që është ngritur edhe nga autoritetet italiane të sigurisë, kryesisht Antimafia.

Në themel të betonit në Shqipëri janë ngarkesat e kokainës që grupet shqiptare trafikojnë nga Amerika Latine në vendet e BE-së, teksa shumë prej këtyre grupeve tashmë janë goditur nga partnerët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco