Aktorët Simon Shkreli dhe Vladimir Doda denoncojnë shkarkimin nga Teatri “Migjeni” si një vendim të padrejtë, me prapavijë politike dhe mungesë transparence. Në vend të një sqarimi zyrtar, Bashkia Shkodër konfirmoi largimin e tyre përmes një postimi në rrjetet sociale, duke i cilësuar aktorët me përkatësi partiake.
Dy aktorët e njohur të Teatrit “Migjeni” në Shkodër, Simon Shkreli dhe Vladimir Doda, kanë reaguar pas shkresës për largimin e tyre nga trupa artistike, duke e cilësuar vendimin të pajustifikuar, arbitrar dhe me prapavijë politike. Në një deklaratë për mediat, aktori Simon Shkreli u shpreh se është pjesë e teatrit prej afro 20 vitesh dhe kurrë nuk ka refuzuar asnjë rol. Ai theksoi se shkarkimi i tij është një hakmarrje politike.
Shkreli akuzoi drejtpërdrejt Zyrën e Kulturës në Bashki për abuzim me fondet publike dhe për përdorimin e teatrit si mjet për interesa klienteliste. Nga ana tjetër, Vladimir Doda, i punësuar si aktor prej vitit 2019, e konsideron vendimin për largimin e tij të pabazuar dhe të papritur. Ai theksoi se është vlerësuar në mënyrë të padrejtë me kritere formale si numri i roleve, ndërkohë që puna e tij artistike dhe angazhimi në edukimin teatror të të rinjve nuk është marrë parasysh.
Të dy aktorët theksuan se do ta ndjekin çështjen ligjërisht dhe publikisht, deri në rivendosjen e të drejtës së tyre dhe në mbrojtje të dinjitetit profesional. Në vend që të japë një sqarim për situatën, Bashkia e Shkodrës, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka konfirmuar largimet si të motivuara politikisht, duke i etiketuar aktorët si me përkatësi partiake.
© SYRI.net