Sekretari për Bujqësinë në Partinë e Lirisë, Edmond Panariti, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të autoriteteve për të përjashtuar nga tregu prodhuesit që nuk janë të pajisur me faturë tatimore, duke e cilësuar këtë si një akt të padrejtë dhe dëmprurës për bujqësinë shqiptare.
Në një deklaratë publike, Panariti tha se “90% e prodhuesve shqiptarë janë të vegjël dhe të mesëm”, të cilët nuk janë të fiskalizuar, dhe për këtë arsye nuk mund të përfshihen brenda një afati 24-orësh në skemën tatimore.
Sipas tij, një masë e tillë do t’i nxjerrë fermerët në mënyrë të dhunshme nga tregu, duke u mohuar atyre një burim jetese për familjet që mbajnë. “Kjo është një goditje që synon të nxjerrë përfundimisht nga tregu prodhuesit e vegjël e të mesëm, të cilët kontribuojnë realisht në ekonominë familjare dhe në prodhimin bujqësor të vendit,” tha Panariti.
Ai theksoi gjithashtu se shkaku kryesor i tkurrjes së sektorit bujqësor është pikërisht mospërkrahja me fonde publike dhe përjashtimi nga programet e Bashkimit Europian. Në vend që të mbështeten, fermerët po ngarkohen me taksa shtesë si TVSH-ja 20%, që sipas Panaritit e bën prodhimin vendas të pakonkurueshëm në treg.
“Fermeri nuk dëshiron të qëndrojë buzë rrugës për të shitur prodhimet, por detyrohet sepse nuk ka kush t’ia blejë. Nuk ka një sistem grumbullimi si në vendet e BE-së, ku organizatat merren me mbledhjen dhe shpërndarjen e produkteve,” deklaroi ai. Panariti nënvizoi se fiskalizimi nuk duhet të imponohet me masa të menjëhershme dhe kërcënuese, por të realizohet përmes një procesi të mbështetur me politika përfshirëse.
Ai paralajmëroi se ky vendim mund të përshpejtojë shuarjen e sektorëve të rëndësishëm të bujqësisë, duke kujtuar se numri i krerëve të lopëve në Shqipëri është përgjysmuar që nga viti 2017. “Nëse vijojmë me këtë rrugë të formalizimit të sforcuar dhe përjashtues, bujqësia shqiptare do të shkojë drejt shkatërrimit,” tha ai, duke kërkuar urgjentisht rishikimin e vendimit dhe orientimin e politikave drejt përfshirjes dhe investimit tek prodhuesit e vegjël e të mesëm.
“Ne nuk jemi kundër formalizimit, por ai duhet të jetë i drejtë, i mbështetur dhe gjithëpërfshirës, për të shmangur braktisjen e fshatit dhe për të ruajtur prodhimin vendas nga importet asfiksuese,” përfundoi Panariti.
Panariti:
Deklaratat ultimative të përjashtimit nga tregu po qe se nuk pajisen me fature tatimore, është 90% e prodhuesve shqiptarë.
Kjo është fizionomia e bujqësisë në Shqipëri, të themi 90% e prodhuesve shqiptarë janë të vegjël dhe të mesëm dhe në pjesën dërrmuese të tyre ata janë të paidentifikuar dhe për rrjedhojë të pafiskalizuar dhe t’u imponosh atyre një afat 24-orësh që o fiskalizohu, o pajisu me faturë tatimore ose dil jashtë tregut, kjo është një padrejtësi.
Në rradhë të parë, i nxjerr ata në mënyrë të dhunshme nga tregu, një pjesë e tyre mbajnë familjet, por edhe kontribojnë në ekonominë familjare pikërisht me atë biznes të vogël dhe të mesëm, të cilët me këtë deklaratë ultimative synon ta nxjerrësh përfundimisht nga tregu.
Ky është një dëm i madh që i bëhet prodhimit bujqësor shqiptar, prandaj dhe arsyeja e rrudhjes së sektorëve të bujqësisë është pikërisht përjashtimi dhe mospërkrahja e biznesit të vogël dhe të mesëm, qoftë me fonde të buxhetit të shtetit.
Janë tashmë të përjashtuar edhe nga fondet e Bashkimit Europian dhe ajo që është më e dhimbshme, është që ngarkohen dhe me taksa e tatime sic është TVSH-ja me 20%, e cila e bën këtë prodhim të pakonkurueshëm.
Nuk është dëshira e fermerit të vogël apo e atij të mesëm që të harxhojë ngjysmën e ditës dhe të dalë buzë rrugës apo në një qoshe të pazarit për të tregëtuar prodhimet e tij.
Ai nuk dëshiron ta bëjë këtë, por nuk ka prespektivë prodhimi i tij në qoftë se nuk e merr përsipër të bëjë edhe prodhuesin edhe tregëtuesin, sepse nuk ka njeri që t’ja marrë prodhimin, nuk ka një organizatë e cila, sikundër edhe në vendet fqinje dhe ato të Bashkimit Europian, ka rolin për të shkuar fermë më fermë, stallë më stallë, stan më stan për të grumbulluar prodhimin dhe kështu prodhuesi do të prodhojë dhe tregëtari bën tregëtimin e mallit.
Për rrjedhojë kështu zhvillohet dhe procesi i fiskalizimit, por i imponuar kështu, në mënyrë taksative, me afate 24-orëshe është një dëm dhe një goditje jashtëzakonisht e rëndë për atë prodhuesin e vogël, i cili tashmë, duke filluar që nga dita e nesërme, përndiqet, për arsye sepse ai nuk ka as kasë fiskale, as mundësi ku të autofaturohet.
Prandaj, të rishikohet ky vendim abuziv, është një vendim i pa menduar mirë dhe ajo që është më kryesorja, do ta cojnë bujqësinë shqiptare drejt pikjatave të reja.
Ju e dini që ne kemi 226 mijë krerë lopë nga 490 mijë krerë që lamë në vitin 2017, ky numër do të shkojë drejt tkurrjes së mëtejshme.
Prandaj duhet patjetër të ndalet ky formalizim i sforcuar.
Ne nuk jemi kundër formalizimit, përkundrazi është në interesin e të gjithë prodhuesve, por formalizimi duhet të jetë gjithëpërfshirës, nuk duhet të jetë përjashtues.
Prandaj duhet punuar që ato fonde të Bashkimit Europian, fondet e buxhetit të shtetit të bëhet e mundur që të investohet edhe te prodhuesi i vogël dhe i mesëm për ta mbajtur atë në këmbë, për ta bërë të mundur që të plotësojë dhe ato kriteret dhe standardet e cilësisë së sigurisë dhe për të dalë në treg në mënyrë dinjitoze,krahas prodhuesve të mëdhenj dhe njëkohësisht për të dekurajuar importet asfiksuese, të cilët po e rrudhin bujqësinë përditë e më shumë.
© SYRI.net