Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, i ftuar në studion e emisionit "Kafe Shqeto" në Syri Tv, ka komentuar aksionin e fundit të inicuar nga Rama që i kërkon faturë për çdo mall bujqësor dhe blegtoral.
Muçollari ka ngritur dyshime serioze mbi qëllimet reale të kësaj nisme, duke theksuar se nuk ka të bëjë me sigurinë ushqimore, por në fakt shënjestron padrejtësisht fermerët dhe tregtarët e vegjël, ndërsa favorizon indirekt rrjetet e mëdha tregtare.
Sipas tij, kjo nismë është më shumë një përpjekje për të shtrënguar kontrollin autoritar të kryeministrit Rama dhe për të shmangur përgjegjësitë që qeveria ka në përballjen me problemet reale që lidhen me sigurinë e produkteve që konsumojnë qytetarët.
Ai vë në dukje se edhe ligjet ekzistuese nuk parashikojnë detyrime të tilla (aq të mëdha) për prodhuesit e vegjël, por për pikat e grumbullimit dhe shpërndarjes me shumicë.
Deklarata e tij:
"Problemi më i madh që ka siguria ushqimore është pikërisht me importet, me produktet që lidhen me importet, por kryeministri e nis këtë aksion (aksion ky që nuk ka të bëjë fare me sigurinë ushqimore), por lidhet me faturat tatimore të sektorëve të vegjël, siç ishte rasti i rigonit, kuptohet nga familje shumë të varfra.
Kjo nismë, si të gjitha nismat e tjera të kryeministrit, është e kundërta e nismës, edhe ligjet aktuale funksionojnë që detyrimet për të dhënë faturën tatimore i kanë ato pikat e grumbullimit apo shumicës dhe jo blegtori apo tregtari i vogël që lidhet me ferma të vogla familjare.
Ky lloj operacioni shihet në dy dimensione, e para për të vendosur autoritarizmin e tij më të fortë, përse jo edhe për të treguar dhe fshehur përgjegjësitë e qeverisë për zgjidhjen e këtyre problemeve për Shqipërinë.
Siguria ushqimore këtu jo vetëm që nuk është zgjidhur, por po veprohet në drejtim të gabuar, siç e thatë edhe ju.
Nuk do të doja ta paragjykoja që nisma lidhet me një favorizim të marketeve apo tregtarëve të mëdhenj, por mesa shoh gjithçka është e mundur.
Ajo që shoh, jo vetëm që nuk po zgjidhet, por nuk ekziston as qëllimi për ta zgjidhur atë, sepse mënyra se si është nisur ky operacion a thua sikur është një operacion informaliteti dhe jo rreth sigurisë ushqimore dhe në këtë aspekt ne do vazhdojmë të ndihemi të pasigurt te ajo se çfarë konsumojmë dhe çdo qytetar duhet të sigurojë vetë e të kërkojë informacion mbi atë që konsumon".
© SYRI.net