'Banorët ndërtuan me kredi, mbajtën gjallë turizmin'/ Bushkolaj: Tritoli në Theth, mesazh politik nga qeveria

18:41, 15/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetari Elkier Bushkolaj teksa ndau mendimin e tij lidhur me prishjet e objekteve në Theth, i quajti veprimet e fundit të qeverisë jo të nevojshme dhe të ngarkuara me simbolikë politike. I ftuar në emisionin Task Force me moderatore Sonila Meço në SYRI TV, ai tha se përdorimi i tritolit për shembjen e një ndërtese në Theth nuk ishte aspak i justifikuar.

“Unë nuk besoj se ka qenë i nevojshëm. Tritoli, kam përshtypjen, ka qenë mesazh, sepse aty fadromat janë prej ditësh dhe është një objekt që fare mirë mund të shembej me fadroma, nëse ishte plan për t’u shembur,” deklaroi Bushkolaj.

Ai ngriti shqetësimin se zona ku ndodhi shembja është një park kombëtar, jo një zonë industriale, periferike apo ushtarake. “Aty pranë ka burime uji, banesat e tjera janë shumë afër dhe mund të kenë pësuar dëme. Këtë, për fat të keq, e shoh si mesazh,” shtoi gazetari.

Duke kujtuar një ngjarje të ngjashme në vitin 2013 përballë Fakultetit Ekonomik në Tiranë, ku u shembën me tritol dy pallate, Bushkolaj tha se “atëherë menduam se do krijoheshin hapësira për studentët, por në vend të tyre u ndërtuan pallate edhe më të larta. Sot, janë ende aty.”

“Kështu që besoj se jemi sërish në të njëjtin skenar,” theksoi ai, duke akuzuar qeverinë për hipokrizi në raport me trashëgiminë natyrore dhe rolin e banorëve në ruajtjen e Thethit si destinacion turistik.

“Jemi de facto në modelin ‘bukë, kripë e tritol’,” ironizoi gazetari, ndërsa vlerësoi kontributin e banorëve lokalë, të cilët sipas tij, kanë investuar me kredi bankare dhe të ardhura nga emigracioni për të ngritur bujtinat, pa ndihmë nga qeveria.

“Asnjë prej tyre, qoftë edhe një i vetëm, nuk ka thënë se e ka ndërtuar bujtinën me fondet e qeverisë apo me mbështetje shtetërore,” deklaroi Bushkolaj, duke shtuar se këto kredi do vijojnë të paguhen, pavarësisht se bizneset nuk i kanë më funksionale.

Bushkolaj:

Unë nuk besoj se ka qenë i nevojshëm, tritoli kam përshtypjen se ka qenë mesazh, se aty fadromat janë prej ditësh dhe është një objekt që fare mirë mund të shembej me fadroma nëse ishte plan për t’u shembur.
Ne po flasim për një park kombëtar, nuk është se po përdorim tritolin në një zonë kentore apo në një zonë periferike të vendit apo bazë ushtarake.

Aty pranë ka burime uji, banesat e tjera shihen me sy sesa afër janë, dhe mund të kenë pësuar edhe dëme.
Këtë për fat të keq e shoh si mesazh.

Mua më erdhi ndërmend 2013, Sonila, se ne për fat të keq harrojmë, harrojmë shumë.

Përballë Ekonomikut në 2013 u shembën në mënyrë të ngjashme me tritol 2 pallate, ne kujtuam se do krijoheshin hapësira të lira për studentët e Universitetit të Ekonomisë, por rezultoi se këto pallate u shembën për të ndërtuar pallate edhe më të larta, që sot e kësaj dite janë aty.

Kështu që besoj se jemi sërish në të njëjtin skenar.

Ka një hipokrizi të madhe në të gjithë këtë histori, se këtu ka kaluar pa vëmendje edhe një aktivitet që u mbajt me arkitektët ndërkombëtarë, sot jemi de facto në modelin ‘bukë e kripë e tritol’.

Theth, po flasim për një zonë, për një destinacion turistik që në fund të ditës është merita e atyre banorëve për aktin që e kanë ruajtur prej vitesh, se dhe rruga atje ka shkuar shumë vonë.

Ka qenë merita e atyre banorëve që kanë arritur të ofrojnë një shërbim shumë të mirë për turistët, se në fund të ditës pasuritë natyrore janë dhuratë e natyrës dhe ajo është çështje tjetër, por kurrë nuk ka pasur një strategji të qartë nga Tirana zyrtare që Thethi të jetë magnet për turistët.

Ne kemi marrë dëshmi gjatë këtyre ditëve me qindra banorë, pronarë bujtinash që i kemi pasur në transmetim maratonë në SYRI TV.

Asnjë prej tyre, qoftë edhe një i vetëm, të thotë që e kam ndërtuar bujtinën me fondet e qeverisë apo me mbështetje shtetërore.

Të gjithë me kredi bankare edhe me para të emigracionit.

Mos harrojmë se këto kredi bankare do vijojnë të paguhen pavarësisht se bizneset nuk i kanë më funksionale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco