PLUG me fakte të reja për aferën e plehrave

14:06, 09/05/2024
A+ Aa A-

Emisioni “Plug” publikoi të mërkurën dokumentin, që shton implikimet e Erion Veliajt në aferën e mbetjeve. Në mbledhjen e aksionerëve të datës 30 janar 2018, Erion Veliaj merrte përsipër të negocionte shitjen e aksioneve që MEG Albania e Vladimir Fezgës kishte te kompania Eco Recycling, të cilat i bleu kompania e inceneratorit të Sharrës. Dokumenti ngre pikëpyetje mbi ndërhyrjen e bashkisë së Tiranës në një transaksion financiar midis dy kompanive tërësisht private. gjithashtu, “Plug” denoncoi edhe përfshirjen e Ajola Xoxës në inceneratorin e Tiranës, duke u fshehur pas vendosjes së veprave të artit me shoqatën e saj kulturore “Harabel”.

Nga SYRI TV

Pas një serie emisionesh, duke denoncuar me fakte korrupsionin në bashkinë e Tiranës, nëpërmjet inceneratorit dhe skemës “5D”, emisioni “Plug”, denoncoi të mërkurën në mbrëmje skemën e plotë të pastrimit të parave në institucionin e drejtuar nga Erion Veliaj.

Plug tregoi se Veliaj ka qenë nismëtari i aferës së mbetjeve, duke nisur bashkëpunimin që në vitin 2013 me kompaninë italiane AMIA Verona, ku ndërmjetës negocimi ishte Vladimir Fezgaj. Ky i fundit u shpërblye nga Erion Veliaj duke u bërë pjesë e biznesit të riciklimit në Sharrë, duke u bërë bashkëaksioner me bashkinë e Tiranës në kompaninë Eco Recyling.

Fezgaj vijoji biznesin me Veliajn deri në vitin 2018, kur aksionet e shoqërisë Eco Recycling ia shiti kompanisë së inceneratorit.

Për këtë transaksion, “Plug” publikoi një dokument ekskluziv, që tregon se ishte bashkia e Tiranës e drejtuar nga Erion Veliaj, që merrte përsipër të negocionte kalimin e aksioneve të Eco Recycling nga Vladimir Fezgaj te kompania e inceneratorit.

Tashmë i mbetet organeve hetimore të sqarojnë këtë angazhim të bashkisë së Tiranës në një marrëdhënie financiare mes dy kompanive private, siç ishte rasti i kompanisë MEG Albania dhe kompanisë së inceneratorit Integrated Energy BV Spv.

Plug tregoi gjithashtu skemën e përfshirjes së Ajola Xoxës, bashkëshortes së Erion Veliajt, në aferën e mbetjeve.

Ajola Xoxa, përdori shoqatën kulturore “Harabel” për t`u përfshirë në një marrëdhënie bashkëpunimi me kompaninë e inceneratorit të Tiranës, Integrated Energy BV SPV. Kjo e fundit, pranoi që  “Harabeli” i Ajola Xoxës të vendoste në landfillin e Sharrës një dritare të vjetër, e cilësuar si vepër arti konteporan, bërë nga artisti Sislej Xhafa.

Për të shmangur marrëdhënien direkte me inceneratorin e Sharrës, kompania e Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit direkt me artistin nga Kosova.

Por, në kontratë, saktësohej se vepra e artit titulluar “Bleta”, ishte në pronësi të “Harabelit” të Ajola Xoxës, dhe kjo e fundit kishte të drejta ekskluzive mbi këtë vepër.

Gjithashtu, në kontratë, parashikoheshin edhe marrëdhënie financiare, të kamufuluara me mirëmbajtjen e veprës dhe kujdesin e saj nga kompania e inceneratorit.

Në program, u risollën edhe skemat e pastrimit të parave në incenerator, ku pas pronësisë dyshohet se janë kompani ruse dhe iraniane, të cilat “Plug” i ka denoncuar më herët.

Në skemën e pastrimit të parave, e cila ka në krye të saj Erion Veliajn, nuk mungoi as denoncimi për “5D’, e cila të ardhurat e korrupsionit nëpërmjet tenderave publik, i investoi në sektorin e ndërtimit.

Për këto çështje, komentoi në program eksperti Zef Preçi, i cili shprehet se gjithçka është bërë në dijeni të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco