BE nuk tërhiqet, Stano: Masat në Kosovë do të mbeten në fuqi

BE nuk tërhiqet, Stano: Masat në Kosovë do të mbeten në fuqi

14:37, 03/05/2024
A+ Aa A-

Bashkimi Evropian thotë se masat ndaj Kosovës do të mbeten në fuqi  derisa të mos kenë me nevojë! Kjo është përgjigja refuzuese e Brukselit për kërkesën e kryeministrit Albin Kurti përmes zëdhënësit Peter Stano.

"Për heqjen e masave ndëshkuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës, vendosin shtetet anëtare e jo Qeveria në Prishtinë", shtoi ai, duke theksuar se vendimi kërkon një konsensus të gjerë.

“Kur i kemi vendosur masat kemi thënë se ato janë të përkohshme dhe mund të hiqen. Masat nuk ishin vendosur vetëm për një arsye, por për disa. Diskutimet për këtë janë në vazhdim e sipër në BE dhe vendet anëtare do të vendosin se a do të hiqen masat dhe kur, a do të hiqen të gjitha apo pjesërisht”, tha Stano.

Zëdhënësi i BE, deklaroi gjithashtu se mbajtja e votimeve në komunat në veri të Kosovës më 21 prill, ishte një prej disa kushteve për heqjen e masave ndaj Kosovës.

Këto votime, ku qytetarët mund të zgjidhnin nëse dëshironin ose jo të largonin kryetarët shqiptarë të zgjedhur vitin e kaluar, dështuan për shkak të bojkotimit nga pala serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më herët gjatë së enjtes tha se Qeveria që ai udhëheq ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese.

Por Peter Stano ka shpjeguar se disa nga ato masa janë vendosur për arsye specifike.

‘Kur shtetet anëtare vendosin ta bëjnë këtë dhe arsyet nuk ekzistojnë më, ata do të vendosin të heqin masat përsëri, gradualisht ose tërësisht. Por, nuk lidhet vetëm me një incident apo një ngjarje”, tha ai.

Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco