Osmani: Liria e shtypit, e drejtë themelore e njeriut, thelbësore për demokracinë dhe të vërtetën

Osmani: Liria e shtypit, e drejtë themelore e njeriut, thelbësore për demokracinë dhe të vërtetën

13:00, 03/05/2024
A+ Aa A-

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ka thënë se kjo është e drejtë themelore e njeriut, thelbësore për demokracinë dhe të vërtetën.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Osmani tha se mbështesin dhe inkurajojnë gazetarët, “sikurse edhe riafirmojmë angazhimin tonë për ta mbrojtur të drejtën e tyre për të raportuar pa frikë dhe censurë, si dhe për ta mbrojtur sigurinë e tyre kur ata raportojnë nga vende ku ka mungesë sigurie”.

“Siç u dëshmua edhe pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator 2023 dhe ditët që pasuan, roli dhe raportimi i mediave ka qenë kyç në mënyrë që institucionet e Kosovës të mund ta dëshmojnë para botës të vërtetën rreth atij sulmi”, ka thënë Osmani mes tjerash.

Ndër të tjera, e para e vendit ka prekur edhe çështjen e lajmeve të rreme dhe dezinformatave, duke thënë se beteja kundër tyre “nuk ka qenë kurrë më urgjente”.

“Lajmet e rreme minojnë demokracinë e paqen e në raste të caktuara edhe sigurinë e qytetarëve dhe sigurinë nacionale, ndaj nevoja për t`iu kundërvënë atyre është më e madhe se kurrë dhe në funksion të mbrojtjes së të vërtetës”.

“Këtë betejë duhet ta bëjmë bashkë, institucionet, gazetarët dhe shoqëria civile, ngase vetëm bashkërisht mund ta mirëmbajmë një ambient ku e vërteta mbizotëron ndaj lajmeve të rreme dhe ku media është e lirë ta përmbushë rolin e saj si mbrojtëse e demokracisë dhe e të drejtës së qytetarëve për të qenë të mirinformuar”, potencoi presidentja Vjosa Osmani.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco