Teliti: Shpirtin opozitar nuk e ndalojnë dot me policinë e pushtetit

16:31, 30/04/2024
A+ Aa A-

Dorjan Teliti, nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke denoncuar vendimin për të mbajtur mbledhjen ‘online’ tha se fjalën e lirë dhe shpirtin opozitar nuk e ndalojnë dot as me policinë e pushtetit as me shtetin policor.

“Këta kanë anulluar mbledhjen e zakonshme të këshillit bashkiak, ne duam të marrim pjesë edhe në mbledhjen online, por të hapin dyert e bashkisë, të lejohen këshilltarët të hyjnë brenda. Por ato duan që të mbyllin mbledhjen për 313 sekonda, pasi nuk duan të japin llogaridhënie”, tha Teliti.

Sipas tij, sot vajza dhe djem, disa të shkolluar edhe jashtë, janë kthyer në ushtarë të atij që edhe kur është para Prokurorëve, jep urdhëra të tillë.

“Shembulli më i keq kundër interesit të popullit”, tha Teliti, duke iu referuar Veliajt.

Ilda Zhulali, anëtare e Këshillit Bashkiak, tha se nuk ka mbetur njeri i madh dhe i vogël që nuk ka marrë vesh që janë vjedhur taksat e qytetarëve të Tiranës nga drejtorët e Erion Veliajt.

“Është i vetmi vend ku kjo nuk diskutohet, që këta nuk pyesin se ku përfunduan taksat e qytetarëve”, tha ajo. Zhulali u shpreh se vijojnë të paguhen 80 mijë euro në ditë për inceneratorin fantazëm të Tiranës, ndërkohë që ato para mund të investoheshin për shkolla, kopshte, çerdhe.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco