Thika para ligjit/ Si e shuajti Rilindja skandalin e Delina Ibrahimajt!

Thika para ligjit/ Si e shuajti Rilindja skandalin e Delina Ibrahimajt!

14:34, 27/04/2024
A+ Aa A-

Skandali që përfshiu Delina Ibrahimajn, ministre për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, bashkëshortin e saj Andi Ibrahimajn dhe Eri Koshajn shefin e Agjensisë së Trajtimit të Kredive përveçse tregon mendësinë e Rilindjes që e trajton shtetin si plaçkë për orekset familjare, është edhe dëshmi se si funksionon mekanizmi i mbylljes së skandaleve brenda organizatës.

Logjika e thjeshtë e do që shteti t’i bëhet mburojë një qytetari të sulmuar me thikë në mes të ditës. Por kur agresori është burri i ministres, rolet përmbysen. Shteti bëhet armë në duart e agresorit dhe në vend që ligji të mbrojë viktimën, ndodh që goditja me thikë të pasohet nga goditja e institucioneve.

Shkarkimi nga administrata

Drejtori i Përgjithshëm i Trajtimit të Kredive, Eri Koshaj ka deklaruar se ai kishte kohë që i bënte rezistencë presionit dhe përndjekjes së burrit të ministres për të mos e lëshuar vendin e punës. Pasi u godit me thikë ai iu drejtua policisë për ndihmë, me të njëjtin version, se ishte përndjekur dhe ishte qëlluar me thikë nga bashkëshorti i ministres, Andi Ibrahimaj për shkak se nuk donte të jepte dorëheqjen. Por në vend se të merreshin masa për ministren, si titullare dhe përgjegjëse për degradimin e institucionit, u plotësua dëshira e bashkëshortit të saj.

Eri Koshaj u shkarkua nga posti që mbante dhe për të cilin flitej se burri i ministres kërkonte të emëronte dikë tjetër.

Heshtje në polici

Vetëm pas 6 muajsh, policia e publikoi tentativën për plagosje të konfliktit që ndodhi pranë Pazarit të ri në Tiranë mes Andi Ibrahimajt dhe Eri Koshajt. Vetëm pas lajmi u publikua nga Neësbomb, policia lëshoi një njoftim ku personazhet e plagosjes përmenden me iniciale.

Ndërkohë që nuk lë njoftim pa dhënë për aksidente apo vjedhje banale, kuptohet se ngjarja që përbën një skandal qeveritar u mbajt e fshehtë dhe u referua me akuzën “Goditje për shkak të detyrës” në prokurori, megjithëse burri i ministres mbante në dorë një thikë, sipas denoncimit.

Mbyllja e hetimit nga prokuroria

Prokuroria e Tiranës e mbylli hetimin pa dënuar bashkëshortin e ministres, megjithëse pas ngjarjes ky u arratis jashtë vendit.  Megjithëse Koshaj më 21 nëntor 2023 në kallëzimin e tij ka deklaruar se bashkëshorti i ministres së Shtetit për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj e ka goditur me thikë në trup. Megjithëse mjeku ligjor ka konstatuar plagën e Drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive me thikë nga Andri Ibrahimaj, sërish hetimet janë mbyllur.

Heshtje në qeveri

Kuptohet se policia, prokuroria dhe administrata nuk janë bashkërenduar rastësisht. Në radhë të parë fshehja e skandalit të Delina Ibrahimajt është një vendim politik, të cilin e ka marrë i pari kryeministri Edi Rama.

Është i njëjti që ka miratuar dhe promovuar Kodin e Etikës në qeveri, të mbushur me kritere të rrepta të sjelljes në publik, ku edhe përshkruhet situata të ndaluara për ministrat dhe për administratën.

Pas publikimit të skandalit, qëndrimet për etikën apo për qeverinë që i shërben popullit duken propagandë banale dhe broçkulla për të gënjyer qytetarët. Madje, edhe sikur të ketë një reflektim tani, që skandali ka dalë në media dhe ka habitur të madh e të vogël, reagimi do të ishte akoma më diskretitues për Ramën, që në këtë rast nuk mund të përdorë justifikimin banal, sikur Delina Ibrahimaj ka ngrënë mollë dhe dardha pas shpinës së tij.

Ngjarja e plotë

Në 21 nëntor 2023 në komisariatin Nr.1 është paraqitur Eri Koshaj me detyrë drejtor i Përgjithshëm i Agjensisë së Trajtimit të Kredive. Ai bën kallëzim penal për Andi Ibrahimajn, burrin e ministres së Shtetit për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj. Sipas tij, Andi Ibrahimaj e kishte pritur në rrugë dhe e kishte goditur me thikë në trup disa herë.

Shkak për këtë sulm, siç ka deklaruar Eri Koshaj, ishte fakti se prej kohësh, Ibrahimaj e kërcënonte për të dhënë dorëheqje. Para sulmit ai pretendon se ishte përndjekur nga Ibrahimaj. Nga ekzaminimi ka rezultuar se në trupin e Eri Koshajt u konstatuan dërrmishje në pjesën e fundshpinës të shkaktuara nga një mjet prerës. Delina Ibrahimaj u largua nga drejtimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në Shtator 2023, për të marrë drejtimin e Ministrisë së Sipërmarrjes, detyrë të cilën e mban dhe aktualisht. Pas kallëzimit, policia kërkoi burrin e ministres por nuk e gjeti në shtëpi. Nga sistemi TIMS rezultoi se ai ishte larguar nga Shqipëria. Çështja u mbyll më pas nga prokuroria e Tiranës./Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco