‘Mburoja’ antikushtetuese e socialistësve për Xhaçkën

‘Mburoja’ antikushtetuese e socialistësve për Xhaçkën

17:06, 18/04/2024
A+ Aa A-

Nga Jona Pëllumbi-Faktoje.al

Ndryshe nga ç’thotë Olta Xhaçka, Kushtetuesja nuk shqyrtoi në themel dhe as nuk vendosi për mandatin e saj

Pas votimit të socialistëve kundër dërgimit të shqyrtimit të mandatit të Olta Xhaçkës nga Gjykata Kushtetuese, deputetja pretendoi se Kushtetuesja ishte shprehur tashmë për papajtueshmërinë e mandatit të saj. Në fakt, ekspertët argumentojnë për Faktoje se kjo nuk është e vërtetë. Sipas tyre, Kuvendi shkeli detyrimin për dërgimin e çështjes në Gjykatë Kushtetuese.

Refuzimi që socialistët i bënë dërgimit në Gjykatë Kushtetuese të mocionit të opozitës për pavlefshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, u pa gjerësisht në opinionin publik si sfidë ndaj sistemit gjyqësor.

Kjo sepse Gjykata Kushtetuese në vendimin e Janarit 2023 kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të merrte vendim në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit dhe më pas t’i drejtohej gjykatës për vlerësim.

Image

Deputetja Xhaçka pretendon se Gjykata Kushtetuese është shprehur për papajtueshmërinë e mandatit të saj, pasi gjykata e ka shqyrtuar çështjen dhe ka vendosur ta pushojë atë.

“Unë kam qënë në Gjykatë Kushtetuese, çështja ime është gjykuar në themel, jo për aspekte proceduriale se po të ishte ashtu do ishte rrëzuar që në dhomë të Këshillimit. Është dëgjuar [mbrojtja] për 10 orë dhe është disponuar me vendim për pushim” – tha Xhaçka në Top Story.

Çfarë tha Gjykata Kushtetuese

Deputetja Olta Xhaçka këmbëngul se Gjykata Kushtetuese nuk i ka kërkuar Kuvendit të marrë fillimisht vendim, që më pas të mund të shqyrtonte çështjen, cka bie ndesh me njoftimin e Gjykatës Kushtetuese .

 “Deklarata e znj. Xhaçka është e pavërtetë” – vlerëson Ledio Braho, avokat dhe njëkohësisht anëtar i Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ.

 “Kjo pasi pasi Gjykata Kushtetuese, në vendimin nr. 1, datë 23.01.2023 ka gjykuar se cili është subjekti që ka të drejtën t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesë, në rastin kur ka pretendime që një deputet i Kuvendit të Shqipërisë mund të ketë kryer veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor apo të fitojnë pasuri të këtyre në zbatim të nenit 70 pikat 3 dhe 4 të Kushtetutës.” – argumenton Braho.

Ai referon paragrafët 54-56 të këtij vendimi ku Gjykata ka dhënë një përgjigje shteruese se cili është organi që mund ti drejtohet asaj në lidhje me mandatin e deputetes Xhaçka.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se papajtueshmëria e mandatit të deputetes Olta Xhaçka duhet të vlerësohet nga kjo gjykatë, por vetëm pasi të shprehet Kuvendi i Shqipërisë.

Image

 “Në asnjë pjesë të kësaj vendimmarrjeje nuk ka elementë të gjykimit në themel të pretendimeve të 1/10 së deputetëve sepse GjK ka mbajtur qëndrimin që pa vendimmarrje të vetë Kuvendit, nuk mund të ketë shqyrtim në themel të këtyre pretendimeve nga kjo gjykatë.” – Ledio Braho, avokat

Kjo rrëzon pretendimin e deputetes Xhaçka se Gjykata e ka shqyrtuar në themel çështjen e saj.

Votimi i 11 prillit në Kuvend

Në seancën plenare të 11 prillit 72 vota socialistësh iu bënë mburojë deputetes Xhaçka, duke mos lejuar miratimin e raportit të pakicës në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet.

Raporti i pakicës së Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin pretendon se mandati i Xhaçkës është i papajtueshëm me kushtetutën dhe ligjin. Ndërsa raporti i shumicës së Këshillit vendos se nuk ka asnjë papajtueshmëri.

Image

Votimi i 11 Prillit shënoi herën e dytë që Parlamenti refuzoi miratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Në 17 nëntor 2022, ishte hera e parë kur Kuvendi miratoi vetëm raportin e shumicës së Këshillit që “mbronte” Olta Xhackën, duke refuzuar miratimin edhe të raportit të pakicës. Në janar 2023 Kushtetuesja vlerësoi se mos-votimi i këtij mendimi të pakicës parlamentare ka pamundësuar që deputetët të vijojnë procedurën në Gjykatën Kushtetuese.

Image

Por, mesa duket, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk i ndaloi socialistët të refuzojnë për herë të dytë votimin e këtij mocioni, duke pamundësuar edhe njëherë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, që është organi kompetent për marrjen e një vendimi për papajtueshmërinë e mandatit të Olta Xhaçkës. /Faktoje.al/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco