Drejtësia sipas Genc Burimit - Kur dënohet hajduti i hajdutit më shumë

Drejtësia sipas Genc Burimit - Kur dënohet hajduti i hajdutit më shumë

10:20, 20/03/2024
A+ Aa A-

"Gjergj Elez Alia çfarë bënte?! Merrte shpatën kur ia binte farkëtuesi dhe i binte një shkëmbi për të parë nëse çeliku ishte çelik apo  metal i dobët. Kështu edhe drejtësia. Ajo “shpata” që duhet ta mundojë, ta testojë drejtësinë, është te Edi Rama!  Për aq kohë sa nuk merret në pyetje për McGonigal dhe inceneratorët, s’kam asnjë lloj besimi,  por për këtë rastin që flasim ka dhënë dënimin maksimal që parashikon ligji."

Gazetari i njohur shqiptar i Radio France, z. Genc Burimi, nuk është habitur nga dënimet që Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit i tha ish-zyrtares së lartë të Financave, Alda Klosit, që zotëronte 460 mijë euro të padeklaruara dhe Rozeta Dobit, pastrueses së saj me të birin, që ia vodhën ato. “Simbolika është katastrofike, që të dënohet hajduti i hajdutit më shumë, e kuptojmë, - tha Burimi, - por nga juridike... aq e ka ligji.”

Por,  gazetari e përforcoi mendimin e tij të palëkundur se në Shqipëri drejtësia është e njëanshme dhe shembulli më dramatik është mos thirrja e Kryeministrit Edi Rama për të dëshmuar qoftë për aferën McGonigal, qoftë për inceneratorët. Sipas gazetarit, pikërisht kjo do të ishte sprova e drejtësisë, në është çelik apo metal i dobët.

Genc Burimi ishte ftuar sot në studion e Kafe Shqeto në SYRI TV pikërisht mbi vendimet që shpalli dje drejtësia shqiptare për rastin e Alda Klosit dhe të pastrueses së saj.

“Faleminderit që më keni ftuar, por do t’ju zhgënjej pak këtë herë. E bëjmë debat, pse jo, - tha ai. - Sigurisht që simbolika është e tmerrshme. Simbolika është katastrofike, që të dënohet hajduti i hajdutit më shumë, e kuptojmë.

Tani jemi nga ana jo simbolike, por nga ana juridike. Drejtësia, SPAK në këtë rast, dhe gjykata, sepse janë dy, është SPAK-u dhe Gjykata. Bile u habita se si në të njëjtën ditë u bë edhe kërkesa për burg dhe gjykimi, në orën 2 doli lajmi për kërkesën e Prokurorisë  dhe në orën 2 e gjysmë doli lajmi për burgim!!!

Merrni Kodin Penal dhe fusni fjalët; merrni termat me anë të cilës u dënuan të dyja palët.  Alda Klosi u dënua për fshehje ose mosdeklarim ose deklarim i rremë i pasurive. Çdo nëpunës ose çdo politikan, kushdo i zgjedhur  ka detyrimin të bëjë deklarim pasurie ndërsa ajo tha s’e kam unë detyrimin, e kishte im shoq. Nejse. Në këtë rast, Kodi Penal, po lexoj... “kur ka fshehje ose deklarim të rremë pasurie nga personat që kanë detyrim ta bëjnë , personi dënohet me gjobë ose me burg deri në tre vjet”... Çfarë donit ju, gijotinë?!

Në këtë rast, edhe Prokuroria, edhe Gjykata është brenda kuadrit ligjor. Hajde ta diskutojmë bashkë, debati është, por në këtë rast pse nuk u dënuan edhe ata gjykatës dhe prokurorë që dolën si të papërshtatshëm nga Vetingu për mos justifikim pasurie?! Po ata, pse nuk u dënuan?! Ky është debati!

Po kjo zonjë hëngri atë që thotë ligji. Nëse e djathta vjen në pushtet, ta ndryshojnë, ta bëjnë më të rëndë! Vijmë tek rasti i zonjës tjetër, Rozeta Dobi. Ligji thotë... “kur vjedh në mënyrë “normale” dënohesh me gjobë 6 muaj ose me burg deri në 3 vjet. Kur kjo bëhet në bashkëpunim, bëhet 6 muaj deri në 5 vjet dhe kur e njëjta gjë, vjedhje, sjell pasoja të rënda, dënohesh me burg nga 4 deri në 10 vjet”... Ajo sa hëngri?! Hëngri 6. Kështu që nga ana juridike...

Flavio: Po Alda Klosi, akuzën e vetme e ka “deklarim të rremë pasurie” dhe nuk ka asnjë hetim se si i ka bërë këto lekë. Pra, kjo metoda e re për t’i amnistuar përmes mos ngritjes fare të akuzës...

Burimi: Jam dakord. Vazhdojmë prapë nga ana juridike. Çfarë i tha Gjykata, Prokurorisë, para dy javësh për znj. Klosi? I tha do të më hetosh tani, i ka dhënë tre muaj kohë, burimin e pasurisë! Kështu që nuk ka ndodhur akoma. Mund të hajë edhe 4 vite të tjera, prandaj edhe njëherë, drejtësia që për mua, në ka person në Shqipëri që gjithmonë i mbetet konstant, konstatimit që në Shqipëri drejtësia është e njëanshme, jam unë, Genc Burimi, sepse e kam vënë si gur prove se për sa kohë Edi Rama nuk u mor në pyetje për të paktën aferën McGonigal...

Më kujtohet ajo fabula e Gjergj Elez Alisë kur kam qenë i vogël, “Cikli i Kreshnikëve”, dhe Gjergj Elez Alia çfarë bënte?! Merrte shpatën kur ia binte farkëtuesi dhe i binte një shkëmbi për të parë nëse çeliku ishte çelik që mbante apo ishte metal i dobët. Kështu edhe drejtësia. Ajo “shpata” që duhet ta mundojë, ta testojë drejtësinë, është te Edi Rama! Për aq kohë sa nuk merret në pyetje për McGonigal dhe inceneratorët, s’kam asnjë lloj besimi, por për këtë rastin që flasim ka dhënë dënimin maksimal që parashikon ligji. Në Perëndim kemi shumë e shumë raste të tilla kur opinioni është i frustruar, kur ke rrëmbime fëmijësh, përdhunim, vrasje dhe shpesh jemi të habitur sesa pak dënim marrin. Po aq e ka ligji! /ar.sh/SYRI.NET  

Ndiqni intervistën e plotë në videon e SYRI TV.

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco