Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Xhixho: Arsimi sot në gjendje emergjencë kombëtare! Qeveria mashtroi me VKM studentët e degëve prioritare

Xhixho: Arsimi sot në gjendje emergjencë kombëtare! Qeveria mashtroi me VKM studentët e degëve prioritare

17:01, 18/03/2024
A+ Aa A-

Nga Erisa Xhixho

Ne diskutojmë sot marrëveshjen me Kosovën, e cila duhet të na shërbejë si model për politikat arsimore. Arsimi në Shqipëri është plaga më e madhe aktualisht. Qeveria nuk i ka mbështetur asnjëherë studentët, por ka gjetur mënyra t’i mbajë në vend me detyrim, siç bëri me studentët e mjekësisë disa muaj më parë.

Në përpjekje për të mbushur universitetet që po boshatisen, qeveria kësaj radhe ka përdorur mashtrimin me bursa. Me premtimin se studentët e degëve prioritare do të trajtohen me bursa në masën e një page minimale, pa asnjë kriter mesatareje, qeveria ia doli të zgjojë interesin e shumë të rinjve për këto degë, për t’i braktisur vetëm pak muaj pas nisjes së vitit akademik. VKM e qershorit 2023 është shkelur me të dy këmbët nga vetë qeveria, e cila ka ndryshuar rregullat pasi siguroi se degët prioritare nuk do të mbylleshin. Kjo është tallje me studentët dhe me vetë sistemin arsimor!

Nga 346 studentë të Universitetit Bujqësor, që prisnin të përfitonin nga VKM e qeverisë për bursat, kanë përfituar vetëm 80! Kjo sepse krejt papritur, qeveria vendosi të vendosë kriter mesataren.

Unë kam kërkuar informacion me shkrim dhe ende nuk më është dhënë një përgjigje, edhe pse kanë kaluar 10 ditë nga data e dorëzimit të kërkesës time, e cila përcjell shqetësimin e një numri të madh studentësh.

Shqipëria rrezikon të mbetet pa mësues. Degët prioritare si mësuesia, që sot ka vetëm 7 studentë në Fizikë, po shkojnë drejt mbylljes. Interesi për t’u bërë mësues është i ulët, sepse pagat e mësuesve janë po ashtu të ulëta. 159 mësues matematike mungojnë sot në sistemin 9-vjeçar dhe të mesëm.

Rrënjët e këtij dështimi janë më të thella se kaq. Buxheti për arsimin në Shqipëri është më i ulëti në rajon, 2.2% e PPB-së, në një kohë kur premtimi i kësaj qeverie në vitin 2013 kaq qenë 5% e PPB-së.

Kërkimi shkencor në Shqipëri financohet vetëm me 0.05% e PPB-së, ndërkohë që pedagogët para disa muajsh në protestat e tyre kërkuan që të shkonte 0.3% e PBB-së. Brukseli kërkon që të jetë 1% e PBB-së dhe mesatarja e Bashkimit Europian është 2.2% e PBB-së. Pra, jemi shumë larg asaj që kërkojnë pedagogët dhe akoma më larg standardeve të BE-së. Jemi të fundit në rajon dhe Europë për kërkimin shkencor sipas revistës “Science 2023”.

Ndërsa Ministria e Arsimit propagandon suksese të paqena, rezultatet katastrofike të testeve PIZA treguan sa e rëndë është gjendja në të cilën ndodhet arsimi sot. Jemi më keq se 20 vite më parë. Shqipëria ka humbur në matematikë 69 pikë, në letërsi 47 pikë, në shkencë 41 pikë. Me këtë ritëm rrezikojmë që shumë shpejt, analfabetizmi funksional të kthehet në problem masiv.

Ndaj, e shoh të domosdoshme të përsëris pyetjet që kam adresuar edhe me shkrim:

1. Sa është fondi në dispozicion të bursave për studentët që ndjekin degët prioritare?

2. Si ishte ndarë mes universiteteve të vendit ky fond?

3. Sa bursa janë ndarë për këta studentë që prej nisjes së vitit akademik në tetor 2023?

Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar. Politikat e dështuara të kësaj qeverie e kanë kthyer atë në emergjencë kombëtare!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco