‘Ishte biznesmen në Shqipëri’/ McGonigalit i mbaron afati si administrator, u pagua nën dorë dhe goditi opozitën

‘Ishte biznesmen në Shqipëri’/ McGonigalit i mbaron afati si administrator, u pagua nën dorë dhe goditi opozitën

13:41, 11/03/2024
A+ Aa A-

Në mes të Shkurtit 2024 ka përfunduar afati i emërimit si administrator i Charles McGonigal në kompaninë “Law Office and Investigation”, duke i dhënë fund biznesit fiktiv të ish-kryeagjentit të FBI-së në Shqipëri.

McGonigal u emërua ortak dhe administrator i shoqërisë me seli në Tiranë pasi ai u largua nga Shërbimi aktiv si Drejtues i Anti-Terrorizmit në Zyrën e Byrosë Federale të Hetimit në Nju Jork.

Të dhëna të shumta treguan se McGonigal e përdori prezencën në Shqipëri për të kryer aktivitet lobimi informal në favor të qeverisë së Edi Ramës.

Ai u shënua si ortak dhe administrator në zyrën private në Shqipëri në 21 shkurt 2019.

Bashkë me McGonigalin, në studion “Law Office and Investigation” u regjistruan si ortak edhe ish-agjenti tjetër i FBI-së, Mark Thomas Rossini, i cili u përdor nga mediat pranë qeverisë për të goditur Sali Berishën, si edhe shqiptaro-amerikani Agron Nezaj.

Kompania shqiptare e McGonigalit ka pezulluar aktivitetin e saj në nëntor të vitit 2019, megjithatë ajo ende nuk është ç’regjistruar.

Charles McGonigal ishte subjekt i dy hetimeve penale të zhvilluara një në Nju Jork dhe një në Uashington.

Në dosjen e Nju Jorkut, ai akuzohej se kishte lehtësuar pozitat e një oligarku rus, Oleg Deripaska, të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndoshta për një koincidencë perfekte, Deripaska ka pasur aktivitet tregtar në Shqipëri deri para dy vjetësh.

Për këtë dosje, Charles McGonigal u dënua me 4 vjet e dy muaj.

Ndërsa në dosjen e dytë kundër McGonigalit të zhvilluar nga prokuroria e Uashingtonit, ajo që njihet edhe si “dosja Shqiptare”, ish-kryeagjenti i FBI-së u dënua me 28 muaj burg.

Ai u akuzua zyrtarisht se kishte marrë 225 mijë dollarë nga shqiptaro-amerikani Agron Nezaj gjatë kohës që ishte në detyrë, si edhe kishte fshehur kontaktet me zyrtarë të lartë shqiptarë, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe njerëz pranë tij.

Dosja hetimore e Uashingtonit zbuloi se McGonigal, pasi kishte marrë pagesat nga Nezaj, kishte nxitur nisjen e një hetimi penal të personave që kishin lidhje me opozitën shqiptare.

Hetimi i nxitur nga McGonigal mbështetej në të dhëna që atij i ishin sugjeruar nga zyra e Edi Ramës dhe ku ishin të përfshirë këshilltari i jashtëm i kryeministrit, Dorian Duçka, si edhe Agron Nezaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco