'Soros solli këtë farë pushtetarësh të lidhur këmbë e krye me krimin'

'Soros solli këtë farë pushtetarësh të lidhur këmbë e krye me krimin'

09:04, 07/03/2024
A+ Aa A-

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NGA BANESA E TIJ

Mirëmbrëma dhe njëherë përshëndetjet më të përzemërta.

Mirënjohjen time më të pakufishme për qëndresën tuaj, vendosmërinë në misionin e madh, misionin e shpëtimit të Shqipërisë nga narkoregjimi i Edi Ramës.

Ju përshëndes ju, përshëndes oratorët, përshëndes miqtë tanë nga Forza Italia dhe i falënderoj për solidaritetin e tyre.

I garantoj se PD është e vendosur njëlloj siç përmbysi në vitet ‘90 diktaturën më të shëmtuar që Europa kishte njohur në histori, të përmbysë në vitet 2024, narkoshtetin më të shëmtuar, më të rrezikshëm që Shqipëria ka pasur në historinë e vet. Të përmbysë diktaturën, e cila bazohet në aleancën e qeveritarëve me krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë.

Kjo diktaturë që po shkatërron Shqipërinë me shpejtësi të rrufeshme, po përzë shqiptarët nga Shqipëria si asnjë pushtim tjetër në historinë e vendit, i ka kohërat e numëruara. Demokratët janë në këmbë, janë të vendosur. Ata kaluan vështirësi dhe pengesa të paimagjinueshme.

Regjimi i krimit, drogës, korrupsionit ia doli të angazhojë kundër tyre mafien më të rrezikshme ndërkombëtare të Xhorxh Sorosit dhe mafiozët e tjerë. Ky regjim ia doli të rikthejë në Shqipëri drejtësinë e kohërave të diktaturës. Ky regjim ia doli të ndërtojë propagandën e mashtrimit njëlloj si në kohërat më të errëta të diktaturës. Ky regjim nuk ia doli dhe nuk do t’ia dalë dot kurrë të mposhtë demokratët e vërtetë shqiptarë, të mposhtë Sali Berishën, PD.

Jo dhe jo me asgjë.

Sot, ai shfrytëzon të gjitha mjetet e krimit. Shfrytëzon miliona e miliona të korrupsionit. Shfrytëzon mafien ndërkombëtare, propagandën e tij të shpifur për t’u paraqitur ndryshe nga ç’është.

Por ju këtu, misionarë të lirisë, i nxirrni çdo ditë, çdo natë para shqiptarëve, fytyrën e tij të vërtetë, fytyrën e tij të shëmtuar, karakterin e tij antidemokratik, karakterin e tij antishqiptar.

Miqtë e mi!

Shqipëria sot është e ngërthyer nga varfëri, nga vjedhje e madhe e pasurive të saj, nga dhunimi i votës së lirë, nga propaganda e mashtrimit dhe falsifikimit.

Por, ju çdo natë, në parlamentin e lirisë, u thoni shqiptarëve të vërtetat.

Çdo natë, zëri juaj dëgjohet në të katër anët e Shqipërisë. Çdo ditë që kalon, i shkurtohet jeta regjimit të krimit. Asgjë nuk do pengojë PD pa realizuar së bashku me opozitën qëllimet e veta. Ju jeni dëshmitarë, ne na u imponua një proces unik në historinë e Europës. Por idealet tuaja, shpirti juaj guximtar triumfoi mbi të. Sot, PD është një forcë e bashkuar që tmerron Edi Ramën.

Ju garantoj se ky bashkim i luftëtarëve të vendosur për të shpëtuar Shqipërinë, do përfshijë jo vetëm të gjitha forcat e vërteta politike opozitare, por mbarë shoqërinë shqiptare, elektoratin shqiptar. Demokratë, socialistë, gri dhe cilido qoftë ai. Qëllimet tona janë të thjeshta, janë të ndershme, janë vendimtare.

Ne kemi dhe do të kemi programin ekonomik më të shkëlqyer që ka pasur Shqipëria. Por mbi të gjitha, ne duhet t’u kthejmë shqiptarëve të drejtën e votës së lirë.

Iu bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të mos harrojnë se çdo program i yni për dy-tre fishim të rrogave, për shumëfishim të vendeve të punës, për luftë me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, për transparencë të plotë dhe luftë kundër korrupsionit, për infrastrukturë moderne, për mirëqenie në rritje, për shndërrimin e pasurive të kësaj toke të bekuar në mirësi të vërtetë për qytetarët shqiptarë, se programi ynë për çeljen e dyerve të Europës, të mbyllura nga korrupsioni, vjedhja, dhunimi i votës nga Edi Rama.

Të gjitha këto, garantimi i një drejtësie të pavarur, që mbron lirinë dhe të drejtat e qytetarëve nga abuziviteti, garantimi i një arsimi cilësor, dalja nga kjo rrokullisje e tmerrshme e tij, e një shërbimi cilësor shëndetësor që meritojnë qytetarët.

Miq!

Të gjitha këto kanë vetëm një kërkesë, kanë vetëm një kusht, largimin e Edi Ramës dhe votën e lirë të shqiptarëve. Të gjitha këto, në rast se nuk largojmë Edi Ramën, mbeten ëndrra të pavlera për qytetarët shqiptarë.

Ndaj dhe çdo shqiptar, që e ndjen veten të detyruar ndaj këtij vendi, ndaj familjes, por edhe ndaj paraardhësve të tij, duhet të mobilizohet, duhet të bashkohet me ne, për të ecur drejt një qeverie teknike, e cila duhet të garantojë zgjedhje të barabarta, të ndershme, për të gjithë shqiptarët. Vetëm ne mund të realizojmë këtë objektiv.

Të mos presim kurrë se do të vijë njeri të votojë për ne.

Të mos presim kurrë se Edi Rama nxjerr mësime nga krimet që ka kryer. Por të marrim fatin tonë në dorë.

Edhe njëherë, të trokasim në çdo votë dhe në çdo zemër shqiptari. Të bashkohemi në mosbindje civile me të gjitha metodat e saj gjersa të gjunjëzojmë këtë kalbësirë që përfaqëson krimin, përfaqëson shkelmimin e interesave të shqiptarëve, përfaqëson aleancën e pushtetit me krimin, përfaqëson pushtimin më të egër që ka shpopulluar shqiptarët ndonjëherë në historinë e tyre.

Me këtë rast, unë u bëj thirrje emigrantëve tanë, diasporës shqiptare, i rikujtoj diasporës rolin e saj të jashtëzakonshëm në përmbysjen e diktaturës komuniste, mbajtjen gjallë të shpirtit të lirisë.

Por i them nga ana tjetër se kjo diktaturë që bazohet në aleancë me krimin, vjedhjen e shqiptarëve dhe drogën, ka fuqi shkatërrimtare po aq të madhe dhe më të madhe se diktatura komuniste.

Vërtet kjo nuk ka kampe përqendrimi dhe skuadra pushkatimi, por kjo ka banda ekzekutimi, kjo ka skuadra të rrëmbimit të votës, ka polici politike të votës, kjo ka gjykata dhe prokurori, identike me ato që kishte diktatura e parë.

Mos harroni të dashur shqiptarë kudo që jeni: Kryeministri aktual korruptoi McGonigalin dhe ai u dënua me rreth 3 vjet burg. Kurse ky vazhdon të korruptojë McGonigalër të tjerë.

Këto ditë ju u njohët me tre mbiemrat e asaj që bën fyerjen më të madhe, fyerjen më të madhe, gjykatësit ta quash gjykatëse.

Mirëpo ç’na del?

Del se Edi Rama është kapur në flagrancë, duke rekrutuar me 225 mijë dollarë McGonigalin. Është kapur në flagrancë, duke i hequr licencën një kompanie dhe dhënë një kompanie tjetër dhe Shqipëria është dënuar 20 milionë dollarë për këtë.

Dhe nuk ndodh asgjë. Nuk ndodh asgjë se gjykatësja, ajo që quhet gjykatëse, është fara e mashtrimit, e falsifikimit, e turpit të drejtësisë. Sepse Damani i tre apartamenteve me rrogë shtetërore, edhe njëherë ftoj çdo shqiptar të pyesë: cili është ai që mund të blejë, mund të bëhet me rrogë shteti vetë dhe bashkëshortja, me tre apartamente?

Në Shqipëri jo, por ndoshta edhe në vende të tjera shumë, shumë vështirë.

Por nga dolën tre apartamentet? Dolën nga ryshfeti. Dolën nga korrupsioni. Ndaj dhe i marruri peng, merr të tjerë peng. Dumani është përfaqësuesi më i flagrant i korrupsionit. Kraja, ish-oficer i policisë sekrete të Enver Hoxhës. Millonai, një person që shkelmon lirinë dhe të drejtat e qytetarëve, u mohon procesin gjyqësor.

Pra, kjo është Shqipëria e Xhorxh Sorosit dhe jo Xhorxh Oruellit. Por janë njëlloj, u garantoj unë, nuk kanë ndonjë dallim.

Se Xhorxh Oruell i përshkroi, kurse Xhorxh Soros i realizoi. Ai solli këtu këtë farë pushtetarësh të lidhur këmbë e krye me krimin. I sponsorizon këta. Ka shndërruar Shqipërinë në protektoratin e krimit dhe drogës. Dhe mbron regjimin më kriminal në Europë.

Këto të gjitha këto miq, nuk duhet të na dekurajojnë. Të gjitha këto janë kushtrim për ne, janë thirrje për ne.

Të gjithë në betejë!

Në betejë pa kthim, mosbindje civile.

Fitore, fitore, fitore!

Rrofshi ju, rroftë PD, rroftë Shqipëria!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco